Ukraina është në ditën e pestë të luftës, pasi presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi sulmin ndaj vendit fqinj. Sot po mbahet takimi mes delegacioneve të Rusisë dhe Ukrainës në Bjellorusi, ndonëse presidenti Volodimir Zelensky nuk pret që të sjellë një zgjidhje për vendin e tij.
Vijon raundi i tretë i negociatave
Negociatat ndërmjet delegacioneve ukrainase dhe ruse janë ende në vazhdim.
Raundi i tretë i bisedimeve do të fillojë pas pak minutash, njoftoi në Twitter, Mykhailo Podoliak, këshilltar i kreut të Zyrës së Presidentit.
Ukraina kërkon armëpushim dhe tërheqje të trupave
Ukraina kërkon armëpushim dhe tërheqje të trupave ruse në takimin me delegacionin rus në Bjellorusi. “Çështja kryesore e bisedimeve është një armëpushim i menjëhershëm dhe tërheqja e trupave nga Ukraina”, thuhet në një njoftim zyrtar.
Sipas një njoftimi nga zyra e presidentit, delegacioni është ministri i Mbrojtjes Oleksy Reznikov, këshilltari i Presidentit të Ukrainës, Mykhailo Podoliak dhe zëvendës ministrin e Punëve të Jashtme, Mykola Tochytskyi.
Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky nuk është pjesë e delegacionit. Ai ndodhet në Ukrainë për të mbrojtur vendin e tij përballë forcave ruse.
Ndërkohë që në orën e fundit është raportuar se nuk janë dëgjuar më sirenat e sulmit ajror në disa qytete të Ukrainës.
Një ditë më parë, presidenti Vladimir Putini urdhëroi forcat bërthamore ruse që të jenë në gatishmëri të nivelit të lartë, për shkak të “deklaratave agresive nga udhëheqësit e NATO-s dhe sanksioneve ekonomike kundër Moskës”.
Shtëpia e Bardhë reagoi duke theksuar se ky urdhër i Presidentit Putin është pjesë kërcënimeve të sajuara nga Moska për të justifikuar agresionin. “Rusia në asnjë moment nuk ka qenë nën kërcënimin e NATO-s, Rusia nuk ka qenë nën kërcënimin e Ukrainës”, tha një zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë.
BE i mbylli hapësirën ajrore, rruga e gjatë që duhet të bëjnë tani avionët rusë
Linjat ajrore ruse po përdorin rrugë të tjera, për të udhëtuar nga territori i Kaliningradit drejt vendeve të detit Baltik, pasi Bashkimi Europian ka mbyllur hapësirën ajrore, si dënim pas vendimit të presidentit Vladimir Putin për të sulmuar Ukrainën.
Kaliningrad, një tokë prej 15,000 km katrorë që i përket Rusisë, ndodhet 300 km në perëndim të kontinentit dhe është vendosur midis vendeve baltike dhe anëtarëve të BE-së, Lituanisë dhe Polonisë.
Në vend që të fluturojnë drejtpërsëdrejti mbi Letoni dhe Lituani, aeroplanët rusë tani janë të detyruar të fluturojnë në veri drejt Shën Petërsburgut, pastaj rreth bregut të Baltikut.
Kanadaja është bërë vendi i fundit, së bashku me vendet e BE-së dhe Britaninë, që ndalon avionët rusë nga hapësira e saj ajrore. Një ditë më parë dhe ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka njoftoi mbylljen e kufijve për avionët rusë.
Pasojat e luftës, benzina arrin çmime rekord në Britaninë e Madhe
Çmimi mesatar i një litri benzinë ka arritur në 150 pence britanik pasi pushtimi rus i Ukrainës shton presionin mbi koston globale të naftës.
Simon Williams tha se çmimi mesatar i benzinës arriti në 151.25 pence të dielën, ndërsa nafta në 154.72 pence. “Kjo bën që një makinë familjare që mban 55 litra të mbushet plot me 83 paund benzinë dhe 85 paund naftë”, tha ai.
Çmimet e naftës u rritën me mbi 100 dollarë për fuçi pas sanksioneve të ashpra që iu vendosën Rusisë.