Për të gjithë nxënësit nga mosha 15 deri në 17-vjeç, që kanë dëshirë të studiojnë në SHBA, Ambasada Amerikane në vendin tonë bën me dije se janë hapur aplikimet në lidhje me bursat e një programi të ofruar për të rinjtë shqiptarë.

Me një postim në Facebook, Ambasada bën me dije se kusht për të fituar bursën janë njohuritë e mira në gjuhën angleze, ndërsa bursat ofrohen nga 7 kolegje dhe universitete në SHBA.

Programi EducationUSA Albania është një program virtual për nxënësit ndërkombëtarë të shkollave të mesme të cilët janë të interesuar t’i vazhdojnë studimet e larta në Shtetet e Bashkuara.

“Jeni nxënës nga mosha 15 deri 17 vjeç me aftësi të mira të gjuhës angleze dhe në kërkim të një eksperience të jashtëzakonshme arsimore nga qetësia e shtëpisë tuaj? EducationUSA Albania ka hapur aplikimin për bursat e EducationUSA Academy Connect, një program i ofruar nga 7 kolegje dhe universitete në Shtetet e Bashkuara. EducationUSA Academy është një program virtual për nxënësit ndërkombëtarë të shkollave të mesme të cilët janë të interesuar t’i vazhdojnë studimet e larta në Shtetet e Bashkuara dhe ofron aftësi dhe përvojë të vlefshme për të ndihmuar nxënësit të përmirësojnë aplikimet e tyre dhe të përgatiten për arritje në të ardhmen”, shkruan ambasada e SHBA.