Viti i parë te PSG ka qenë i ndryshëm nga sa e imagjinonte Gianluigi Donnarumma. Portieri, i cili është larguar me kosto zero nga Milan-i, është balotazh me Keylor Navas për një vend në formacionin titullar.
Nëse portieri italian ka në favor moshën, ish-portieri i Real Madrid-it, nga sa thuhet në Paris, ka mbështetjen e disa prej lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës.
Një situatë që mund të sjellë edhe largimin e portierit italian nga kampionati francez, me menaxherin Mino Raiola që duket se është vënë në lëvizje dhe po punon për një shkëmbim të barabartë.
Sipas elnacional.cat, super menaxheri do t’i propozojë Barcelona-s një këmbim mes Donnarumma-s dhe Ter Stegen. Gjermani nuk po kalon sezonin e tij më të mirë në Camp Nou dhe një lamtumirë e tij në fund të sezonit nuk përjashtohet.
Operacioni nuk parashikon asnjë pagesë, vetëm një shkëmbim të barabartë me dy portierët që kanë pak a shumë të njëjtën vlerë në merkato dhe të njëjtën rrogë. Të shohim se çfarë do të ndodhë.