Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor rikujton të gjithë ata qytetarë që prej kohësh nuk qarkullojnë më me mjetin e tyre ose nuk do të qarkullojnë për një kohë të gjatë në vijim, të çregjistrojnë mjetin përkohësisht ose përgjithmonë, duke shpëtuar nga detyrimet që lindin nga taksat e mjetit dhe kamatat.
Këto detyrime do vijojnë të llogariten për sa kohë, pronari i mjetit nuk dorëzon targat dhe dokumentet e mjetit në drejtoritë rajonale.
Në rast çregjistrimi të përkohshëm të mjetit, gjatë periudhës që mjeti do qëndrojë i çregjistruar, DPSHTRR administron dhe ruan dokumentet dhe targat e mjetit pa kosto magazinimi për një periudhë 5-vjeçare.
Gjithashtu, në rast se keni shitur një mjet, sigurohuni dhe verifikoni që mjeti i shitur nuk është më në emrin tuaj. Në rast se blerësi nuk e ka ndërruar pronësinë e mjetit, ju si shitës mund të aplikoni në www.dpshtrr.gov.al për heqjen e emrit tuaj nga pronësia e mjetit.
Nëse keni blerë një mjet dhe nuk e keni kaluar në emrin tuaj brenda afatit 30 ditor nga nënshkrimi i kontratës së shitblerjes, Kodi Rrugor ju gjobit sipas kohës së vonesës: 10,000-40,000 Lekë!
Për të gjithë ata që planifikojnë shitblerjen e mjetit, DPSHTRR ofron shërbimin e lehtësuar të ndërrimit të pronësisë së mjetit direkt në sportelet e drejtorive rajonale, tashmë edhe pa kontroll fizik të mjetit.
Për informacione më të detajuara mbi procedurat e mësipërme apo për çdo paqartësi, DPSHTRR fton qytetarët t’i drejtohen faqes zyrtare www.dpshtrr.gov.al dhe të shikojnë infografikën shpjeguese: https://youtu.be/AtpMWwqeGlw!