Nga Ardit Rada/ Gjykata Kushtetuese shqyrton sot çështjen e shkarkimit nga detyra të Presidentit Ilir Meta pas vendimit të Parlamentit të legjislaturës së kaluar, që miratoi me 104 vota shkarkimin e tij.
Me gjasë edhe kjo séancë pavarësisht ankthit me të cilin është pritur nga disa, nuk do të prodhojë gjë tjetër veçse do ta fusë çështjen në një labirinth të ri.
Teksa pritej që për fatin e Ilir Metës të merrej një drejtim në shinat e drejtësisë, presidenti ka tentuar ta fus vetë organin që do ta gjykojë në një kurth duke paditur anëtaren Fjona Papajorgji.
Por përtej pritshmërive që secili i krijon nga dijet që ka rreth jurisprudencës, politika është ajo që s’të lë të gabosh për të parë se çfarë po ndodh realisht. Ilir Meta është detyruar që pa gdhirë që të përcjellë përfaqësuesit e tij për në GJK, duke e shoqëruar edhe me foto si të ishte dita e parë e shkollës. Sot në Kushtetuese janë përfaqësuesit ligjorë të Presidentit dhe nga ana tjetër Taulant Balla e Klotilda Bushka si kryetare e Komisionit të Ligjeve. Kujtojmë se ishin pikërisht socialistët ata që konstatuan 16 shkelje nga ana e Presidentit që nga thirrjet për trazira e deri tek cënimi i marrëdhënieve të Shqipërisë me SHBA dhe shtete të tjera.
Në të gjithë këtë betejë ligjore a politike, Lulzim Basha nuk figuron askund edhe pse Ilir Meta akuzohet se i vinte në ndihmë për nxitje trazirash dhe mbështetje të opozitës kur Bashës i ikte zëri.
Madje kreu i PD ka formuar një ‘Trekëndësh Bermude’ dhe e përmend aq shpesh saqë është kthyer në një batutë të lodhur dhe pa sens. Sepse sot kur dy ‘këndet’ e këtij trekëndëshi Meta dhe Rama janë duke u përballur në Gjykatë Kushtetuese, Lulzim Basha nuk është kurrkund. Si atëherë edhe kur mazhoranca votoi për shkarkimin e Metës teksa Basha hynte e dilte te Presidenca. Herë bashkë me Gazin e herë çonte Saliun.