“Dybala-Vlahovic; provim i kaluar me sukses. Apel për Arrivabene: mos i ndani”, – shkruan “Tuttosport” pas fitores 2-0 të Juves ndaj Veronës. Kishte kuriozitet se si do të reagonte “Joya” ndaj pranisë së sulmuesit të ri.

Të dy e gjetën veten mirë në fushë. Asisti i argjentinasit për golin e serbit u festua me “maskën” Dybala (një gjest spontan). Të dy i bëjnë tifozët e Juventusit të ëndërrojnë dhe apeli për Arrivabene është që të mos i ndajë, tashmë që “tango” ka nisur.

“Vlahovic tashmë e ka ndryshuar Juven: kjo është ajo që i mungonte pas CR7”, – shkruan “Corriere dello Sport”, duke komentuar fitoren e bardhezinjve ndaj Veronës. Një sukses me golat e Vlahovic-Zakaria, dy të ardhurit në merkaton e janarit. Ata të dy bindën.

Dhe Dusan e ka ndryshuar tashmë Juven, jo aq në rezultate (në 10 ndeshjet e fundit është i vetmi ekip që nuk ka humbur) se sa në lojë, në rrezik sulmi. Tani në mes të zonës është një sulmues që mund t’i lëndojë kundërshtarët në çdo moment, ai që i ka munguar “Zonjës së Vjetër” pas lamtumirës verore të Ronaldos.