Vendimi për të huazuar Brojën nga Çelsi këtë sezon është provuar se ishte i goditur nga Sauthemptoni. Me 6 gola në Premier Ligë (çdo 204.8 minuta), sulmuesi po shkëlqen në “St Mary’s”.
Objektivi i 20-vjeçarit do të jetë që të arrijë dopioshifra golash këtë sezon, ashtu si në të shkuarin te Viteshe (10).
I shpejtë, i fortë dhe gjakftohtë përpara porte, Noruiçi është i paralajmëruar sonte mbrëma.
NDIKIMI – Ralf Hazenhytel ka bërë vazhdimisht rrotacion me sulmuesit e tij këtë sezon.
Broja ka qenë 13 herë titullar dhe ka mbyllur vetëm 3 ndeshje të plota në kampionat.
Në 8 prej 21 prezencave të tij në total ka hyrë si zëvendësues. Të gjashtë golat e shqiptarit janë shënuar me këmbën e tij të preferuar, të djathtën. Armando ka mesataren më të mirë të golave shënuar me këtë këmbë në Premier Ligë këtë sezon dhe rivalët e tij më të afërt janë Kristiano Ronaldo dhe Neil Mopej, por ata kanë shënuar mes tyre 3 penallti.
INSTINKT VRASËS – Pesë prej 6 golave të Brojës me Sauthemptonin janë shënuar me kundërsulm.
Ai ka shënuar pas shpërthimeve të shpejta ndaj Lidsit dhe Brentfordit në “St Mary’s”.
Me Hazenhytelin në stol, “Shenjtorët” janë një prej skuadrave me presingun më efikas në Premier Ligë dhe shpërthimet e Brojës ndihmojnë shumë në fazën e tranzicionit për të krijuar raste të pastra.
Nga një e tillë ai shënoi golin nga distanca kundër Palasit, ndërsa golat ndaj Bërnlejt dhe Brajtonit nxorën në pah potencialin e tij.
SHPEJTËSIA – Shpërthimet pas shpinës së mbrojtjes falë topave të gjatë kanë treguar se Broja është një sulmues vrastar në situatat një kundër një.
Shpejtësia, forca dhe zhdërvjelltësia e futbollistit të dytë më të shpejtë të Sauthemptonit këtë sezon (ka arritur shpejtësinë 35.33 km/h) pritet të vënë në vështirësi edhe mbrojtjen e “Kanarinave”. Panorama Sport