Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha se homologu i tij ukrainas Volodymyr Zelensky është në dispozicion për t’u takuar me kreun e shtetit rus Vladimir Putin në Ankara ose Stamboll për të diskutuar krizën midis Rusisë dhe Ukrainës. “Gjatë takimit tonë në Kiev më 3 shkurt Zelensky tha se është i hapur në lidhje me një samit trepalësh midis Putinit, Zelenskit dhe Erdogan”, tha udhëheqësi turk, sipas agjencisë së lajmeve Anadolu.

Erdogan ka bërë të ditur se së shpejti do të kontaktojë me Putinin në telefon për t’u informuar nëse ai është i disponueshëm për takimin trepalësh me Zelensky. “Ne do ta ndjekim situatën me kujdes sepse shpërthimi i një lufte të vërtetë në rajon nuk do të ishte një ogur i mirë”, tha kreu turk lidhur me tensionet mes Moskës dhe Kievit.

Javët e fundit, Erdogan shprehu synimin e tij për të ndërmjetësuar midis Rusisë dhe Ukrainës në një përpjekje për të zgjidhur krizën.