Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi i ka dërguar një telegram mbështetjeje presidentit të Federatës së Futbollit të Ukrainës, Andriy Pavelko dhe tërë komunitetit të futbollit ukrainas.
Në këtë telegram Federata e Futbollit e Kosovës i ka ofruar mbështetjen që Republika e Kosovës i jep popullit liridashës të Ukrainës, në luftën kundër agresorit rus.
“Si një vend me plagë të freskta nga lufta, e ndjejmë tmerrin e luftës dhe frikën që vendi juaj është duke kaluar. Prandaj, përfitojmë nga ky rast për të shprehur solidaritetin tonë me njerëzit e Ukrainës dhe lutemi për sigurinë e tyre. Zemrat dhe shtëpitë tona janë të hapura për qytetarët tuaj të dashur dhe ne qëndrojmë pranë jush për gjithçka që keni nevojë”, thuhet ndër të tjera në telegramin e FFK-së drejtuar kreut të futbollit ukrainas.
Tutje i pari i FFK-së ka theksuar se ky është një moment vendimtar për ne dhe botën që të qëndrojmë së bashku dhe të reagojmë fuqishëm dhe qartë kundër veprimeve agresore të Rusisë.