Finlanda pritet të heqë masat kufizuese të koronavirusit gjatë muajit shkurt, njoftoi sot qeveria.
Heqja graduale e kërkesave, të cilat kanë kufizuar numrin e vizitorëve në zona të caktuara dhe kanë kërkuar dëshmi të vaksinimit, do të aplikohet për restorantet dhe baret duke filluar nga 14 shkurti. Kufizimet do të hiqen edhe për eventet kulturore dhe sportive, tha kryeministrja Sanna Marin.
Megjithatë, klubet e natës do të qëndrojnë të mbyllura për momentin.
Qasja e ngadaltë do t’i japë Finlandës pak kohë për të parë sesi po shkon lehtësimi i kufizimeve në Danimarkën fqinje dhe Norvegjinë. Danimarka pezulloi të gjitha kufizimet pandemike të martën, ndërsa Norvegjia gjithashtu hoqi disa prej tyre.
Të gjitha kufizimet do të hiqen në Finlandë më 1 mars, sipas Yle. Sipas të dhënave të qeverisë, nivelet e reja të infeksionit janë të larta në vend, por numri i pacientëve nën kujdesin intensiv ka rënë ndjeshëm.