Presidenti i Ukrainës ka pranuar se ai është ‘shënjestra numër një’ për vrasësit rusë, pasi pretendohej se ‘gjuetarëve’ çeçenë u është dhënë një listë e zyrtarëve ukrainas për ta kapur ose vrarë.

Volodymyr Zelensky, 44 vjeç, iu drejtua kombit të enjten mbrëma, në fund të ditës së parë të pushtimit rus të vendit të tij.

Ish-komediani i televizionit këmbënguli se ai kishte mbetur në Kiev ndërsa u kërkoi bashkëqytetarëve të tij të qëndronin të fortë.

Ai tha se po fliste nga Kievi, por eleganca e pallatit presidencial ishte zhdukur prej kohësh: Zelensky, me bluzën e tij jeshile, dukej se po fliste nga një bunker.

“Unë e di se shumë keqinformime dhe thashetheme po përhapen tani”, tha ai.

“Në veçanti, pretendohet se jam larguar nga Kievi. Unë jam në kryeqytet, po rri me njerëzit e mi”, tha ai.

Zelensky tha se familja e tij, gruaja e tij Oleana, një arkitekte dhe skenariste 44-vjeçare dhe dy fëmijët e tyre vajza Aleksandra, 17 vjeç dhe djali Kiril, 9 vjeç, gjithashtu nuk janë larguar.

“Familja ime nuk tradhtare, por janë qytetarë të Ukrainës”, tha ai, duke shtuar se nuk do të zbulonte vendndodhjen e tyre.

“Sipas informacioneve tona, armiku më ka shënuar si objektivin numër një. Familja ime është objektivi numër dy. Ata duan të shkatërrojnë Ukrainën politikisht duke shkatërruar kreun e shtetit”.

Thuhet se një skuadër ‘gjuetarësh’ e forcave speciale çeçene është lëshuar në Ukrainë për të arrestuar ose vrarë zyrtarë të caktuar ukrainas.

Skuadra e vrasjeve dyshohet se ishte në një pyll ukrainas, ku secilit ushtar thuhet se i ishte dhënë një “letër” e veçantë me foto dhe përshkrime të zyrtarëve ukrainas, raportoi një kanal Telegram i Moskës që ka lidhje me institucionin e sigurisë.

Komiteti Hetimor Rus ka identifikuar disa zyrtarë dhe oficerë sigurie të dyshuar për ‘krime’, shtohet në raport.

Dyshohet se ekziston një ‘urdhër për t’i vrarë’ personat në listën e të kërkuarve nëse nuk mund të arrestohen. Ka spekulime se ata që janë identifikuar nga Moska si ‘nazistë’ janë përfshirë në listën e “gjuetisë”.

Putin tha se një qëllim kryesor i pushtimit të Ukrainës ishte “denazifikimi” i vendit.

Televizioni shtetëror në Çeçeni raportoi se Ramzan Kadyrov, lideri i republikës dhe një aleat i ngushtë i Putinit, kishte vizituar forcat e tij në Ukrainë.

Çeçenët besohet se janë nga batalioni i jugut i Shërbimit të Gardës Federale, me qendër në Çeçeni.

Kadyrov dje u takua me Viktor Zolotov, drejtor i Shërbimit Federal të Gardës Kombëtare dhe Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Gardës Kombëtare Ruse, një tjetër aleat i ngushtë i Putinit.

Presidenti Zelensky ka shprehur gjithashtu zemërimin e tij ndaj liderëve perëndimorë pasi vendi i tij ‘mbeti vetëm’ për t’u përballur me trupat ruse, ndërsa zyrtarët paralajmërojnë se Kievi do të pushtohet deri në këtë fundjavë.

Ai i quajti bashkatdhetarët e tij të rënë ‘heronj’ pasi 137 u vranë në ditën e parë të luftimeve dhe këmbënguli se do të qëndrojë deri në fund.

Ai tha: ‘Ata po vrasin njerëz dhe po i kthejnë qytetet paqësore në objektiva ushtarake. Është gabim dhe nuk do të falet kurrë. Ne kemi mbetur vetëm për të mbrojtur shtetin tonë. Kush është gati të luftojë përkrah nesh? Nuk shoh njeri. Kush është gati t’i japë Ukrainës një garanci për anëtarësimin në NATO? Të gjithë kanë frikë”.

Ai beson se forcat speciale ruse ishin tashmë në kryeqytet.

“Ne gjithashtu kemi informacione se grupe sabotuese të armikut kanë hyrë në Kiev”, tha ai.

“Kjo është arsyeja pse unë u bëj thirrje qytetarëve të Kyivisë: të jenë të kujdesshëm, të respektojnë rregullat e shtetrrethimit. Unë mbetem në lagjen e qeverisë bashkë me të gjithë ata që janë të nevojshëm për punën e pushtetit qendror.’

Kryeqyteti ukrainas pritet të rrethohet nga forcat ruse këtë fundjavë dhe rezistenca e vendit në fakt do të gjymtohet, frikësohen zyrtarët e sigurisë amerikane.