Franca ka shprehur miratimin që Rusia të përjashtohet nga sistemi ndërbankar Swift.

Nga ana tjetër, shtetet e tjera evropiane duket se kanë “rezerva” sipas ministrit francez të Financës.

Por çfarë është Swift?

Kanë qenë të shumtë ata që kanë apeluar që Moska të përjashtohet nga Swift.

Ndryshe, rrjeti kryesor ndërkombëtar i pagesave në botë.

Ai është sistemi më i sigurt i mesazheve që bankat përdorin për të kryer pagesa të shpejta dhe të sigurta ndërkufitare, duke lejuar që tregtia ndërkombëtare të vazhdojë pa probleme.

Përmes platformës, në vitin 2020 dërgoheshin çdo ditë afro 38 milionë transaksione, duke lehtësuar marrëveshjet me vlerë prej triliona dollarësh.

Swift është themeluar në vitet 1970 dhe është një kooperativë e mijëra institucioneve anëtare që përdorin shërbimin.

I vendosur me qendër në Belgjikë, ajo mban një qëndrim neutral për sa i përket mosmarrëveshjeve tregtare, duke vepruar si një shërbim për anëtarët e vet.

Përjashtimi i Rusisë nga Swift, sipas kryeministrit Boris Johnson, do ta dëmtonte ekonominë ruse.

Sepse transaksionet e zakonshme do të duhej të kryheshin ndërmjet bankave ose përmes sistemeve rivale. Çka shton kostot dhe vonesat.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës hezitojnë ta përjashtojnë Rusinë nga Swift dhe një nga arsyet është se ndikimi në bizneset ruse mund të mos jetë aq serioz.

Madje, bankat ruse mund të përdorin sisteme alternative për pagesa të tilla si telefonat, aplikacionet e mesazheve ose email-et.

Po ashtu mund t’i kryejnë pagesat nëpërmjet vendeve që nuk kanë vendosur sanksione, si Kina.

Kjo e fundit ka krijuar sistemin e vet të pagesave për të rivalizuar Swift.

Mirëpo, ndikimi i përdorimit të këtij sistemi nga Rusia mund të përshpejtojë përdorimin e sistemit rival të Kinës të quajtur Cips.

Gjithashtu ekziston edhe frika se mund të dëmtojë dollarin amerikan dhe të rrisë përdorimin e monedhave alternativave si kriptovalutat.

Shqetësimi se përjashtimi i Rusisë nga programi i pagesave mund të dëmtojë aleatët po aq sa firmat ruse është vënë në dukje edhe nga administrata e presidentit amerikan Joe Biden.

Rusia është një importues i madh i mallrave të prodhuara nga jashtë, veçanërisht nga Holanda dhe Gjermania.

Është furnizuesja kryesore e naftës së papërpunuar, gazit natyror dhe lëndëve djegëse të ngurta fosile.

Prandaj dhe vendet evropiane mund ta kenë më të vështirë të gjejnë furnizues të tjerë.

Swift, më parë, u ka rezistuar thirrjeve për të vendosur sanksione ndaj vendeve të caktuara, duke e cilësuar veten si neutrale.

Ama Bashkimi Evropian, në vitin 2012, e ndaloi atë t’u shërbente firmave dhe individëve iranianë që ishin sanksionuar në lidhje me programin bërthamor të Teheranit.