Franca regjistroi deficitin tregtar më të keq në historinë e saj, me 84,7 miliardë euro, njoftuan doganat e vendit.

”Bilanci tregtar rëndohet kryesisht nga energjia dhe në një masë më të vogël nga mallrat e përpunuara”, saktësojnë autoritetet doganore në komunikatën e tyre.

Përkeqësimi i deficitit shpjegohet ”me një rikthim më të theksuar të importeve (+ 18,8% pas – 13% në 2020) sesa të eksporteve (+ 17% pas -15,8%), shpjegon i njëjti burim.

Deri atëherë, deficiti më i madh tregtar është shënuar në vitin 2011, me 75 miliardë euro.

Ministri francez i Tregtisë, Franck Riester, gjatë një konference për shtyp, tha se “është e rëndësishme të shikojmë pamjen e aktivitetit tonë tregtar”, duke treguar në veçanti një “tepricë rekord në shërbime, e barabartë me 36,2 miliardë euro”.

”Për sa i përket bilancit të mallrave, përkeqësimi është kryesisht për shkak të rritjes së faturës së energjisë prej 17,9 miliardë euro”, ka saktësuar ai.

Së fundi, deficiti shpjegohet me fuqinë e rimëkëmbjes, ndërkohë që ekonomia franceze shënoi një rritje prej 7% vitin e kaluar, gjë që ndikoi importet e mallrave të konsumit.