Nga Artur Ajazi
Komisionet hetimore (në çdo rast të kërkuara nga opozita) gjithmonë janë kthyer dhe kanë rezultuar një gallatë e madhe. Nuk mbahet mënd, sa komisione, sa kërkesa për komisione dhe sa mbledhje komisionesh janë zhvilluar, sa orë, minuta dhe javë, muaj dhe vite të tëra, janë haxhuar me këto lloj komisionesh, që më tepër se “rezultate konkrete”, kanë dhënë show, estradë dhe gallatë të madhe. Dhe në fakt, ata që kanë kërkuar gjithmonë komisione “hetimore”, kanë shtyrë kohën, kanë marrë rrogën e majme, duke hedhur fjalë kuturru dhe romuze, duke bërë sikur “kërkojnë” të vërtetën, dhe pastaj e mbyllin me një “rezolutë” e cila nuk i ka hyrë askujt në punë. Eshtë në zero interes për shqiptarët, por krejt në interesin e deputetëve parazitistë, krijimi dhe humbja e kohës me të tilla komisione. Kanë 4 muaj që merren me një tjetër komision hetimor, atë për inceneratorët, kërkojnë ku kanë vajtur “430 milion eurot e tyre”.
Kërkojnë dokumenta, i marrin, kërkojnë të pyeten ministra, i vijnë, kërkuan kryeministrin, erdhi edhe ai. Si përfundim, nuk gjetën as 430 milion eurot, dhe nuk saktësuan as “fajtorin”. Edi Rama e shprehur qartë edhe përballë tyre, “godinat e ndërtuara që shpëtuan qytetet nga pisllëku që na latë ju, i keni atje, shkoni dhe merruni me faktet dhe jo me përrallat”. Por opozita, nuk mund të tërhiqej aq lehtë, aq më tepër kur bëhet fjalë për “zbulime dhe akuza korrupsioni”. Pothuajse të gjithë ata që kanë mbushur vendet e komisioneve të tilla “hetimore”, kanë rezultuar pas mbarimit të tyre, njerëz të implikuar në afera. Si ka mundësi, që ata që akuzojnë dhe gjoja ‘denoncojnë’ nga opozita, rezultojnë pronarë tokash, vilash, pallatesh, biznesesh, dhe me miliona në banka ? Si mund ti besosh se po lufton korrupsionin dhe kujdeset për “paratë e popullit”, dikujt që ka pas 4 mandate deputeti, 5 shtëpi, resort turistik, makinë 140 mijë euro të blerë 2 muaj pasi mori mandatin e deputetit pas 25 Prillit, apo dhe se ka miliona në banka ?
Dikur (para ca vitesh) kishte shqiptarë që edhe i besonin ata që nxirrnin “gjoksin” para korrupsionit, dhe se deklaronin se “do fusim në burg ministrat e qeverisë”. Por sot nuk mendoj se ka akoma budallenj, të gënjehen, mashtrohen, dhe ti besojnë qoftë edhe politikisht, ata që sulmojnë për të kapur ndonjë aferë “oligarku”, ata që edhe kur pyesin për “vjedhjen e 430 milion eurove”, ngatërrohen me fjalët e tyre të shkruara nga sufleri 1 ditë para. Ndaj them, gallatë e madhe me “komisionerët hetimorë”, të çdo legjislature, kryesisht ata opozitaristë, të cilët më tepër duken si aktorë të këqinj estrade, se sa si deputetë të votuar nga populli. Dhe nuk kishte si të mos kërkoheshin brënda 2 muajve, plot 4 komisione hetimore nga kjo opozitë, kur aq më tepër, prej Shtatorit 2021, ka nisur betaja e madhe “kush do të zotërojë selinë, vulën, logon e partisë, fitoren e bashkive”.
Ata e kanë në fakt betejën e madhe mes tyre, por ç’taksirat ka populli, të dëgjojë deputetë që lexojnë me gabime ortografike pyetjet e dërguara, apo ngatërrohen me aritmetikën e shifrave, dhe katandisen në objekte humori para ekraneve. Melodia e “luftës ndaj korrupsionit” e kësaj opozite, ka nisur qysh 8 vite para, madje qysh javën e parë të Edi Ramës si kryeministër, duke ngatërruar shkresat e firmosura nga ish-lideri historik, me ato që akoma nuk kishin mbërritur në zyrën e kryeministrit të ri. Gallatë e madhe, me këtë opozitë, por dhe hall i madh i shqiptarëve, dhe ndoshta kjo e dyta vlen më shumë për tu marrë seriozisht…