Nga Dritan Hila

Dje, presidenti italian u betua për besnikëri ndaj Kushtetutës. Me një votim bindës që ja kalonte vetëm Sandro Pertini, Sergio Mattatella u zgjodh për një mandat të dytë president i Republikës italiane. Është hera e dytë që një president merr mandat të dytë, pas Napolitanos dhe njëkohësisht siçiliani i parë që mbulon këtë funksion. Nuk është pak për një ishull që dikur pretendonte të ndahej nga Italia dhe ende ruan një autonomi administrative dhe shpirtërore nga pjesa kontinentale e gadishullit Apenin.

Kur u zgjodh në vitin 2015, Mattarella nuk thoshte shumë për publikun e huaj. Ishte gjykatës kushtetues me profesion por kishte pasur edhe detyra politike. I inkuadruar me demokristianët, i përkiste krahut që quhej katokomunistë (katolikë komunistë) dhe kishin afinitet me të majtën italiane, çka u konfirmua edhe pas shkrirjes së Demokracisë Kristiane, ku kaloi me të majtën e cila pas shkrirjes së komunistëve mori format e Margaritës dhe më vonë Partsë Demokratike.

Kur u zgjodh ishte i ve nga bashkëshortja dhe portreti i tij jo karizmatik, dha përshtypjen se në presidencë po vinte një njeri pa ngjyrë. Në fakt, Mattarella e tregoi veten një murg kushtuar shtetit. I ftohtë, jo emocional, ai diti të mbajë ekuilibrat e një shteti i cili fuqinë ekonomike dhe rezatimin kulturor që shfaq në botë e ka në përpjestim të zhdrejtë me paqëndrueshmërinë politike dhe papjekurinë e disa liderëve politikë të tij.

Mattarella ka qenë një pikë reference e interlokutorëve dhe aleatëve. Me prejardhje nga një familje me tradita institucionale ku babai i tij ishte politikan i rangut kombëtar ndërsa vëllai Piersanti Mattarella i ekzekutuar nga mafia në vitin 1980, Sergio Mattarella është personazhi që jep sigurinë që publiku ka nevojë kur do të shikojë një institucion të përfaqësuar nga dikush që nuk ka interesa okulte dhe ka dhënë prova për besnikëri mdaj shtetit.

Fatkeqësisht shqiptarët, përjashto Alfred Moisiun, nuk kanë pasur figura të tilla. Ne kemi parë politikanë që i afrohen portretit të banditëve sesa kapitenëve që çojnë vendin drejt mirëqenies; që hedhin vendin në luftë civile në vend se të jenë mesazherë të paqes; plaçkisin rezervën e arit të bankës, bëjnë orgji të fondeve publike, degjenerojnë administratën, por jo një roje të Kushtetutës. Mbase e ardhmja e largët do na rezervojë edhe ne një president si Sergio Mattarella apo qoftë si Karolios Papulia.