Antonio Konte është mundur për herë të parë në shtëpi që kur ka marrë drejtimin e Totenhemit dhe këtë disfatë të parë ia ka bërë dhuratë pikërisht Sauthemptoni i Armando Brojës. Një pathyeshmëri me të cilën tekniku italian ishte mburrur deri tani e për këtë arsye ishte edhe shumë i nervozuar kur pa se Broja & Co. po e rrezikonin seriozisht.
Ndoshta kjo ishte arsyeja pse Konte bëri një gjest të turpshëm në momentin e goliy të 2-1 të shënuar nga Son. Aksioni nisi me një faull të rëndë të Emerson Rojal ndaj Brojës në mesfushë dhe pasi topi shkoj në rrjetë, lojtarët e skuadrës së Sauthempton rrethuan gjyqtarin duke kërkuar anulimin, teksa sulmuesi po merrte ndihmën e mjekëve.
Edhe stafi i Sauthempton shpërtheu në protesta dhe Konte në ato momente nisi t’u hakërrehej. Thirrjet “qepeni” apo duke vënë gishtin para buzëve të italianit, bënë që situata të tensionohej për disa çaste dhe për pak sa nuk kishte përplasje mes stafeve të dy ekipeve.
Por këto pamje bënë xhiron e rrjeteve sociale sidomos pas ndeshjes, me tifozët anglezë, të cilët kujtuan këtë skenë dhe nuk ngurruan ta cilësonin të turpshme atë që kishte bërë trajneri italian me dëshirën e tepruar për të fituar ndeshjen./Panorama sport