Nga Arbër Hitaj
Në politikën shqiptare qytetarët janë mësuar me akuza deri dhe për vrasje, pjesëmarrje në krim të organizuar e fantazira nga më absurdet! Shumica e këtyre trilleve gati 98% asnjëherë nuk janë vërtetuar. Madje në shumë raste janë kthyer edhe në qesharake. Trendi i kohës për shumë nga politikanët shqiptar në opozitë është lufta kundër pushtimit amerikan, Sorosit dhe armiqve të xhepave të tyre!
Në asnjë rast në këto 30 vite pluralizëm politik nuk kemi parë një president të bëjë thirrje absurde, me zero fakte e prova. Përjashtimi i vetëm është Berisha, president që shikonte konspiracione në çdo antiveprim ndaj vendimeve të tij katastrofike.
Presidenti Bujar Nishani ishte një president normal ku përveç dhënies së dekoratave nuk u bë protagonist në presidencën e tij. Më herët Bamir Topi u shqua si president realisht mbi palët, ku edhe pse në një sulm agresiv për 21 janarin 2011 nga Berisha kryeministër, qëndroi larg politikës dhe mbi të gjitha, nuk u bë palë. E njëjta histori me Alfred Moisiun e Rexhep Meidanin, ku edhe pse kishin më shumë kompetenca se presidenti aktual, ruajtën një profil qartazi mbi palët, me përjashtime shumë të vogla.
Vijmë tek Ilir Meta. Është ndër të paktat raste që një president i një vendi në NATO, bën thirrje për prerje duarsh, veshi apo gjuhe! Në zgjedhjet e fundit parlamentare Ilir Meta tejkaloi edhe Presidentin e çmendur të Brazilit apo të Filipineve që shquhen për prerje duash reale! Meta shkeli çdo lloj parimi dhe etike, por mbi të gjitha tregoi se vrau njëherë e përgjithmonë atë që shquhet një president normal, të qenurit mbi palët.
Ilir Meta kur iku nga Partia Socialiste në 2004, për interes personal dëmtoi me dashje partinë që e bëri kryeministër ende pa i dalë mjekra mirë. Iku nga PD, e çoi në opozitë, iku nga LSI e shkatërroi si forcë politike. Tani po ikën nga Presidenca duke e shkatërruar si institucion. Gjithçka me vetëm një qëllim, interesi personal e familjar.
Nga fundi epokës Meta në Presidencë, kemi një bilanc skandaloz. ‘Luftë’ me Ambasadën Amerikane në Tiranë, ‘luftë’ me median, ‘luftë’ me këdo që ka qoftë dhe një kritikë. Por, më e keqja mbi të gjitha është ajo që do të vijë pas.
Nga sot do të justifikohet një president politik që jo vetëm mund të bëhet palë, por mund të çmendet sa herë të dojë duke përdorur kushtetutën.
Nga sot në Presidencë mund të shkojë edhe militanti më i çmendur i një partie!
Nga sot çdo president anormal do kthehet në normal!
Nga sot fillon viti zero për shkatërrimin pa kthim të Presidencës!
Por kjo bën që të lindë nevoja për një President të zgjedhur nga populli me votë, si e vetmja mundësi për një institucion realisht mbi palët! Në të kundërt vlera e simboli i të vetmit institucion mbi palët do shkojë në zero.
Gjykata Kushtetuese me një vendim të marrë në mesnate, e shpëtoi Ilir Metën, por vrau Presidencën.