“Interi në krizë të thellë. Sezoni i kaluar nuk do të kishte përfunduar kështu”, – shkruan “Corriere dello Sport”, duke analizuar barazimin 0-0 të zikaltërve në Genoa.

Dy fitore në 9 ndeshjet e fundit për skuadrën e Inzaghit, ose e thënë ndryshe, asnjë triumf në muajin shkurt. Vetëm 2 pikë në 4 sfidat e fundit. “Kriza e thellë vazhdon, – shkruan gazeta, – me Interin që nuk ka arritur të përfitojë nga gabimi i Milanit me Udinese.

– Më shumë se një pikë e fituar, një tjetër mundësi e humbur. Sezonin e kaluar, por edhe disa muaj më parë, ndeshje si kjo nuk do të përfundonin në barazim”.

Edhe “La Stampa” analizon barazimin e bardhë të Interit në Genoa: “Zikaltrit i përgjigjen dështimit të Milanit pa luajtur në fakt përballë një Genoa të guximshme dhe të ekuilibruar.

Për Interin vjen pika e dytë në katër ndeshjet e fundit, një pikë e vogël dhe shqetësuese duke pasur parasysh rënien e performancës që kur derbi doli jashtë kontrollit. Interi të jep ndjesinë se ka humbur siguritë e mëparshme dhe në çdo mësymje kuqeblu duket paniku mes Bastonit dhe De Vrij”.