Nga sot Izraeli ka hequr detyrimin për paraqitje të certifikatës së vaksinimit kundër Covid në disa vende publike, duke lehtësuar kështu masat anti-Covid, pasi në vend është regjistruar ulje e numrit të rasteve të reja me koronavirus.

Kulmi i valës së rasteve pozitive me Covid ishte fundi i muajit janar, ku numri i rasteve ditore arriti në 85 mijë raste.

Që prej asaj periudhe infeksionet në vend kanë filluar të ulen.

“Vala e pandemisë po ulet”, tha kryeministri i vendit, Naftali Bennet, në fillim të një diskutimi që mbajti me zyrtarët shëndetësorë të vendit.

Masat për certifikatën e vaksinës janë lehtësuar që prej 4 shkurtit, ku leja shëndetësore ishte e nevojshme vetëm për hyrjen në klubet e natës dhe qendrat e ngjarjeve.