Nga Artur Ajazi
Në Shqipëri “denbabaden” është thënë një shprehje, “politika buka e përditshme”. Kjo ka nisur dhe vazhdon ti hajë kohën më të madhe shqiptarëve. Duke mos dashur të largohem shumë në kohë, mjafton të kujtoj “orën politike” apo leximin e shtypit, çdo ditë në ndërmarjet e shtetit në kohën e komunizmit, apo dhe mbledhjet me karakter thellësisht politik që bëheshin në mesin apo pas orarit të punës. Asokohe, flitej mbi “situatën politike” në vend, në Rajon, Europë dhe botë, sikur ne të ishim qendra e saj. Edhe pas ndryshimeve politike, nuk hoqëm dorë nga entuziazmi dhe marrja masive me “politikë”. Mjafton të pyesësh sot një qytetar të zakonshëm në çdo qytet të Shqipërisë për ngjarjet e ditës, ç’ka ndodh në Ballkan, Europë e botë, dhe do të dëgjosh informacion të bollshëm. Gdhihet dhe ngryset, ne merremi me VKM-të, ligjet e Parlamentit, ato të miratuara apo të dekretuara nga kreu i shtetit, merremi me projektet e përfunduara dhe ato të panisura akoma, merremi me hallet apo akuzat e ministrave dhe deputetëve, prefektëve dhe drejtorëve, merremi me bëmat e tyre, por kurrë me hallet tona, me punën tonë, me detyrimet tona ndaj punës, detyrës, apo të njerzve tanë.
Duket sikur gjithë populli merret me politikë. Sapo jepet lajmi se “ora 10 nis Parlamenti” kyçen të gjithë në shtëpi, afrohen para ekraneve, hapin rrjetet sociale, dhe gozhdohen aty deri në orët e vona të mbrëmjes. Por kurrë nuk flasin për problemet e tyre, hallet e ditës, për pamundësitë ekonomike. Jo, ato zënë vendin e dytë apo të tretë, në ‘menynë’ ditore të çdo shqiptari. Edhe kur dikush i thotë mikut, vëllait, shokut, se “të gjeta një vend pune, do shkosh”, përgjigja është “tani e gjete”, dhe biseda transferohet tek “deputetët, fushata, incineratorët, SPAK-u” dhe deri tek Ukrahina e largët. Ky popull duket sikur ka lindur për politikë, për thashethemnaje, pavarsisht se dikush punon, nuk punon, merr ndihmë ekonomike apo ha fara luledielli gjithë ditën, dhe në mbrëmje kërkon edhe para borxh, duke sharë ministrat e deputetët.
Në Itali, Francë,Gjermani, SHBA, etj, askush nuk i njeh në detaje dhe me libër shtëpie deputetët, kongresmenët, ministrat apo presidentët e tyre, pasi “menyja” e tyre ditore është puna, familja, dhe jeta private. Në Shqipëri, njohin kush ka qenë deputeti i parë qysh nga 1922, 1932, 1942, 1945, 1992, deri sot, madje të bëjnë edhe biografinë familjare. Eshtë e habitshme, pse ky zell, pse kjo kurreshtje, edhe kur je i mbytur në halle dhe probleme, gjen kohën të diskutosh mbi “reformat parlamentare”, komisionet hetimore, korrupsionin e ministrave, ish-ministrave, etj, etj. Në vitin 2001, vjen në Shqipëri një gazetar japonez, për zgjedhjet e përgjithshme. Jetoi afro 2 javë në Tiranë, dhe u miqësua shpejt me vendasit, që kishin kërshërinë, të merrnin nga ai informacione si “kush është ministri brëndshëm në Tokio, sa deputetë ka Parlamenti juaj”, etj, por kurrë nuk u pyet për problemet e ditës. Madje edhe kur gazetari japonez një mëngjez veshi përparsen dhe nisi të fshijë pjesën pas hotelit, që ishte kthyer në vend grumbullimi plehrash (pa i thënë askush), e paragjykuan dhe u shprehën “ky qenka …….”.
Atë gjë, ai e bëri me dëshirë, pa i thënë askush, i ç’kompleksuar nga veset dhe manitë e shqiptarëve, dhe habitej se si ne, gjenim kohën për tu marrë me gjithçka, dhe vetëm me punën dhe detyrimet tona, jo .Natyrisht, lajmi, informacioni, dhe gjithçka lidhet me atë fushë janë pjesë e jetës së përditshme, por ajo që ndodh me ne shqiptarët, ndoshta ka lidhje perceptimin dhe kulturën tonë të hershme. Eshtë i papunë, i pastrehë, apo dhe i braktisur, dhe para se të trokasë në dyert e bashkisë për ndihmë, kthen tek kioska e gazetave, lexon titujt e tyre, diskuton mbi “inceneratorët apo korrupsionin”, shan qeverinë, dhe pastaj ulet dhe luan domino me ndonjë të njohur deri në drekë. Dhe kështu vazhdon e shtyhen ditët, javët, muajt e vitet, pa bërë asgjë tjetër, veç të marrit me politikë…