Valët e para të pandemisë Covid-19 duket se kanë pasur një ndikim më të madh në shëndetin e personave që jetonin në pjesët më pak të begata të Bashkimit Evropian, tregojnë të dhënat e mbledhura për një raport të publikuar të martën mbi pabarazinë në bllok.
”Vdekshmëria e tepërt, shkalla e vdekjeve e regjistruar mbi nivelin normal ishte 17% në rajonet më pak të zhvilluara midis marsit 2020 dhe korrikut 2021, ndërsa në zonat më të pasura kjo normë ishte 12%”, thuhet në raportin e Politikës së Kohezionit të Komisionit Evropian.
Mesatarja e BE-së e vdekshmërisë së tepërt për atë periudhë, në fund të së cilës shumica e të rriturve ishin vaksinuar plotësisht, ishte 13% ose 872 000 vdekje në terma realë.
”Tkurrjet më të theksuara të prodhimit ekonomik në vitin 2020 u regjistruan në Maltë, Spanjë, Hungari, Greqi dhe Portugali, ku shumë prej tyre varen veçanërisht nga turizmi”, thekson raporti.
“Pandemia ka çuar në recesionin më të madh që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore në 1945, duke prekur veçanërisht sektorët që varen nga ndërveprimi personal, siç është turizmi”, thuhet në raport.
”Në të gjithë bllokun, pandemia rriti numrin e njerëzve në rrezik të varfërisë ose përjashtimit social me 5 milionë në të njëjtin vit. Rreth 20% e popullsisë së BE-së, rreth 92.4 milionë, konsiderohej në rrezik në vitin 2019”, sipas të dhënave të veçanta të BE-së të publikuara nga Eurostat.