Kryeministri Edi Rama ishte sot në New York, ku mbajti fjalën e tij në pritjen e organizuar për fillimin e mandatit të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Kryeministri falënderoi të gjithë miqtë e pranishëm për pjesëmarrjen dhe vuri në dukje se kjo është një ngjarje me rëndësi historike për Shqipërinë, pasi shënon edhe një tjetër gur themelor në rrugën e transformimit që kombi shqiptar ka për të përmbushur aspirata e tij si komb dhe në kontributin për ta bërë botën një vend më të mirë për të gjithë. Në hyrje të fjalës së tij ai u shpreh se: “Sikur për asgjë tjetër, por vetëm për një tubim si ky, ku kaq shumë miq e të ftuar të shquar janë të pranishëm për të ndarë këtë moment me ne, ma ha mendja se Mandati i Këshillit të Sigurimit ia vlen.

Vetëm një imagjinatë pa fre do kish guximin ta ëndërronte diçka të tillë veç tri dekada më parë. Madje dyshoj se edhe imagjinata më e shfrenuar nuk do kish qenë dot aq e shfrenuar sa ta ëndërronte këtë tri dekada më pare. Asokohe, Shqipëria ishte një bunker në terr. Për thuajse gjysmë shekulli, ajo u zvarrit nën një nga regjimet komuniste më shtypëse në Europë, që e bëri vendin tonë, më duhet ta them, Korenë e Veriut të Europës.”

“Shumë herë, rrota e historisë lëviz në drejtime të çuditshme. Për ne shqiptarët, zgjimi erdhi mjaft vonë, por ne i mbajtëm sytë kah na thërriste drita dhe qysh atëherë kemi ecur në një drejtim të vetëm, atë të lirisë, demokracisë, shtetit të së drejtës, të drejtave e dinjitetit të njeriut, zhvillimit dhe reformave.

Që prej kësaj kohe, kërkimi i vendit të merituar në rajon dhe Europë ka mbetur busulla jonë, edhe në momentet më të mundimshme në rrugën tonë të vështirë drejt një shoqërie të lirë e demokratike, drejt familjes me të cilën duam të bashkohemi, familjes europiane së cilës i përkasim. Bota ka ndryshuar dhe është transformuar gjatë 66 vjetëve të fundit. Shumë vende e shoqëri kanë parë jetët e tyre të ndryshojnë rrënjësisht, por mund ta them pa asnjë dyshim se transformimi i Shqipërisë është një prej më mbresëlënësve e më me ndikim, deri në atë pikë sa prirem te bie dakord me miqtë që na thonë se përgjatë tri dekadave të fundit, Shqipëria është transformuar më shumë se gjatë tre shekujve të fundit. Ky është bilanci ynë, për të cilin jemi krenarë dhe duam ta përmirësojmë më tej” theksoi ai.