Nga Frrok Çupi/

Të na kishte lënë rasti në ujin e lumit- aty ku na mbytën, do të ishte njëmijë herë më mirë; ose do të na dukej se po jetonim edhe pse të mbytur. Se të paktën do të kishim një shpresë: Në një moment uji i lumit tek rrëshqet në udhën e vet buzë pyllit e ograjave, do të na na varte në një kërrabë peme…, ose do të na shtynte në një stere bregu. Dikush do të na gjente pas ca. Lumi ka ujë dhe uji ka frymë si njeriu; nuk po them se ka edhe dhimbje e kujtesë.

“Në jetë, në art, vrasësit më të mëdhenj janë frikacakët/ Mjeshtëria e tyre: gjuajtja në gabime, dhelpëria”. Këto janë vargje nga poeti i famshëm Ali Podrimja. Titullohet ‘Lum Lumi’. Edhe djalit të tij ia kishte ngjitur emrin ‘Lum’. Poeti i madh besonte se lumi ka shumë jetë…

Po këta ‘frikacakë e vrasës të mëdhenj’, pasi na vranë- na morën edhe lumin. Sa herë na mbysin, këtë bëjnë: na marrin edhe lumin.

1.

Ku të na gjejnë, në një ‘vakuum’ si shkretëtirë?

Që natën kur Gjykata Kushtetuese vendosi të mbrojë presidentin ‘me sëpatë që na pret duart’, me ‘sfurqe që na hap barqet’, me ‘amerikanë të kapur për veshësh’…, që atë natë ne jemi ‘nën hënë’, pa çati, pa shtet, pa ligj, pa mburojë. (Të kapë tjetri Amerikanët për veshi e të të mos hyjë tmerri për vete!?). Ishte mesnatë, edhe vetë 6 gjykatësit e ferrit, nuk guxuan ta marrin në mbrojtje haptazi bosin e tyre. Po ne të tjerët, ku të futemi tani?! Presidenti do të dalë nga ai kafaz ku ishte e do të na turret të gjithëve: Me sëpatë, me sfurqe, i dehur, i katrafilluar! O zot, ku të futemi? Deri atë mesnatë të së martës së zezë, kishim një shpresë se ‘ariu ishte i rrethuar’; të paktën me ligje. Ndërsa tani gjykatësit tanë, njësoj si shnjerëzorët që lëvizin natën, na lanë zbuluar. Nuk kemi më as Parlament (sepse parlamenti ra në gjunjët e presidentit); nuk kemi më as president (sepse presidenti tani del dhe e bën të zezën pa ligj); nuk kemi më as gjyq. Edhe mëkatarit më të madh, ditën e fundit i bëhet një gjyq- në ferr apo në parajsë; por ne nuk e kemi. Na i morën të gjitha, na morën edhe lumin

2.

Ndoshta duhet korrigjuar një gjë ‘e vogël’.

Këta tani e tutje nuk ka më nevojë të lodhen as të na hedhin në lum. Jemi ne vetë që do të shqyejmë njëri tjetrin. Që atë të marte të rëndë kur ata përpiluan se si të na vënë në dorë mjetet primitive me të cilat do të eliminojmë njëri tjetrin. Mjeti më vdekës i shoqërisë njerëzore, që u përdor shtatë herë në vendimin e Kushtetueses, u formulua kështu: Presidenti nuk ka bërë ‘shkelje të rënda’.

O zot, po kush e ka kandarin ku matet i rëndë apo i lehtë krimi, ose shkelja, ose tradhtia, ose besa, ose burrëria, ose ndershmëria?… Gjykata na ka hyrë në fushën e qelizave dhe të obsesioneve, dhe tash po na mat një nga një. Që nga koha e Holokaustit, nuk ka pasur më gjykatë që merr kandarin dhe mat moralin ose jo- moralin, hebrenj ose jo- hebrenj; me ngjyrë ose i bardhë; marrëzinë ose jo- marrëzinë, ëndrrat ose jo- ëndrrat, epshet ose jo- epshet, ndershmërinë ose jo- ndershmërinë… Kjo është hera e parë. Tani e tutje do të mjaftojë vetëm një gjyq në mes të sheshit, ku secilit do t’i merret qimja për të matur kush është i ndershëm e kush jo.

Pastaj kjo do të transferohet në familje; burri do të akuzojë gruan si ‘e pandershme’, dhe opa!, dhunë; do të akuzojë fëmijën si ‘hajdut’ dhe opa!, prerje gishtash…

Ça na bëri Gjykata?! Na vuri mbi kurriz kandarin e ‘ndershmërisë’; dhe na la pa ligje.

3.

Gjykata na e mbylli thesin.

Në vend që të mbyllte thesin e një historie të tërë korrupsioni, vjedhjesh, krimesh; gjykata mbylli thesin e qytetarisë. Ata që kishin kryer gjithë të keqen tonë prej 30 vjetësh, mbetën të lirë. Gjykata Kushtetuese vendosi që sikur ‘kaq ta bëni dhëmbin!’, Ilir Metën dhe të tjerë si ky, do t’i keni përjetë në pushtet. Presidenti nuk ka shkelur ligjin edhe pse e ka shkelur; nuk ka thyer kushtetutën edhe pse e ka thyer; nuk ka kërcënuar paqen dhe lirinë edhe pse e ka bërë; nuk ka prekur në marrëdhëniet me aleatët dhe pse po!; ‘sfurqet i nguli ashtu kot’ por i nguli; edhe pse dehet nuk prish punë se me raki dehet!; edhe pse bën veprime pa dinjitet, kandarin e dinjitetit e mban Gjykata…

Ja ky do të jetë arketipi i presidentit të republikës edhe për breza të ardhshëm; gjykata e krijoji precedentin. Ky është ligj tanimë. Quhet apo nuk quhet Ilir Meta, këtë do ‘të keni president’, vendosi Kushtetuesja. Nuk kemi më as pikën e ujit në lum.