Kombëtarja e Shqipërisë në basketboll për meshkuj ka nisur sot përgatitjet për fazën para-eliminatore të Europianit 2025. Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Afrim Bilali janë grumbulluar në mjediset e akademisë “Dhimitraq Goga” në Durrës, ku do të qëndrojnë për disa ditë.
Shqipëria do të luajë dy ndeshje gjatë muajit shkurt: më 24 shkurt ndaj Rumanisë dhe më 27 shkurt ndaj Luksemburgut. Të dyja sfidat do të zhvillohen jashtë fushe. Kuqezinjtë bëjnë pjesë në Grupin B dhe në nëntor të vitit të kaluar kanë debutuar me fitore në këtë Europian.
Shqipëria udhëheq grupin pas fitores 92-89 ndaj Luksemburgut. Gjithsesi, sfida ndaj Rumanisë është vendimtare, pasi edhe ajo ka fituar ndaj Luksemburgut (73-70). Për momentin, faza përgatitore do të nisë më basketbollistët që luajnë në Shqipëri e më pas do të vijnë edhe legjionarët.