Edhe pse Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut po humbin kohë të çmueshme për shkak të bllokimit te negociatave, unioni është ai që po humbet në të vërtetë.

Kështu u shpreh kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, duke shtuar se zvarritja e procesit po vë në pikëpyetje besueshmërinë e Bashkimit Europian dhe po i hap rrugë ndikimit të palëve të treta në Ballkan.

DIMITAR KOVAÇEVSKI

KRYEMINISTER I MAQEDONISE SE VERIUT

“Për shkak të mos miratimit të kornizës së bisedimeve, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria po humbin kohë të çmueshme. Por pyetja më e madhe është se çfarë po humb Bashkimi Evropian në këtë rast. Kredibiliteti i BE-së është vënë në pikëpyetje. Kjo situatë inkurajon dhe rrit interesin e palëve të treta për rajonin. Nëse BE-ja tregon mosprezencë ose dobësi në Ballkanin Perëndimor, atëherë palët e treta do të kenë më shumë mundësi që ta plotësojnë këtë boshllëk.”

Shkupi, sipas Kovaçevskit, mbetet i angazhuar për të gjetur një zgjidhje sa më shpejtë me Sofjen.

DIMITAR KOVAÇEVSKI

KRYEMINISTER I MAQEDONISE SE VERIUT

“Ndërtojmë miqësi. Jemi të përkushtuar në gjetjen e zgjidhjeve të pranueshme për të gjithë. Në këtë frymë Maqedonia e Veriut ka ndërmarrë të gjitha hapat për zhbllokimin e procesit të zgjerimit të BE-së. Dialogu me Sofjen mbetet konstruktiv dhe shpresojmë për një zgjidhje sa më të shpejtë.”

Ndërkohë, duke komentuar nismën “Ballkani i Hapur” kryeministri maqedonas tha se është një hap i rëndësishëm për bashkëpunimin rajonal.