Kryeministri Edi Rama foli në cilësinë e dëshmitarit në Komisionin Hetimor për Inceneratorët dhe ndërkohë që i përgjigjej pyetjeve të Kryetares së Komisionit, deputetes së PD, Jorida Tabaku, Kryeministri këmbënguli që ajo të qëndronte e paanshme dhe të mos bënte propaganda
Rama i ka bërë disa herë korrektime kryetare së komisionit Jorida Tabaku që të mos i bëjë pyetje në bazë të opinioneve të saj, por në bazë të fakteve dhe dokumenteve që ekzistojnë. Rama tha se është këtu për t’u përgjigjur me fakte dhe jo për të dëgjuar spekulimet e opozitës që i transferon debatet nga kuvendit dhe deklaratat televizive në një komision hetimor që duhet vetëm të bëjë pyetje pa opinione.

Jorida Tabaku pyeti për opinionin e dhënë nga Bashkimi Europian në Progres raportet e veta, duke u shprehur se blloku e ngre si shqetësim menaxhimin e mbetjeve.

Kryeministri Rama e korrigjoi duke deklaruar se BE nuk ka dalë kundër inceneratorëve, por ka folur për nivelin e ulët të riciklimit.

“Ne nuk kemi ndërtuar inceneratorë ne kemi ndërtuar impiante të përpunimit të mbetjeve të prodhimit të energjisë. Inceneratori është pjesë e këtij procesi po është i parafundit. Inceneratorët janë impiante të viteve ’70 -’80 që e digjnin komplet produktin dhe nuk prodhonin energji. Është e vërtetë që nuk është zgjedhja më e preferuar e BE-së, po ndërkohë edhe në Suedi dhe Danimarkë impantet e prodhimit të energjisë përmes mbetjeve janë aty dhe vazhdojnë të prodhojnë energji,” tha Kryeministri.

Jorida Tabaku: Ishit shumë i saktë, sepse aty nuk po ndodh asnjë incenerim.

Rama: Unë nuk thashë këtë. Ju duhet të hiqni dorë nga shtrembërimi i fjalëve të mia, në mënyrë që unë të vazhdoj. Unë nuk bëra ironi kur thashë ishit e saktë për raportet e BE-së, por nuk thashë që nuk po bëhet incenerim. Ju po ndani opinionet tuaja, por nuk i intereson askujt opinion juaj.

Tabaku: Kur flasim për një makineri shtetërore, flasim për një përgjegjësi të makinerisë shtetërore. Të gjithë zyrtarët e pyetur kanë një amnezi në lidhje me këtë cështje? A e mbani mend mbledhjen e qeverisë më datën 17 dhjetor kur miratuat koncesionin e Elbasanit?

Rama: Zonja Tabaku mendimi juaj për amnezinë, është opinioni juaj personal. Duke marrë parasysh që ju më keni akuzuar si kreu i një grupi kriminal, qëndrimi im këtu para jush është heroike. Për mua ajo mbledhje qeverie mori vendime që duheshin marrë, për ju mund të jetë shumë e rëndësishme, po për mua është një nga mbledhjet që ka marrë shumë vendime, të cilave i qëndroj deri në fund. Mua mos më cito sipas qejfit! E kam shumë problem të fyesh inteligjencën time. Kur më citoni gabim, jeni ju që po bëni propagandë.