Në Skrapar ka përfunduar rehabilitimi i venddepozitimit të përkohshëm të mbetjeve, që ishte shndërruar në gangrenë mjedisore.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro inspektoi sot këtë venddepozitim duke theksuar se “ky investim redukton jo vetëm ndotjen, por përmirëson peizazhin duke rritur standardet e shërbimit të turizmit në zonë””.

“Menaxhimi i mbetjeve është detyrë e bashkive, mbajtja pastër e mjedisit është detyrë e secilit prej nesh”, tha Kumbaro.

Ministrja Kumbaro u shpreh se “me sistemimin e territorit kemi bërë një punë shumë të madhe falë bashkëpunim me programin e GIZ. Me këtë program kemi ndërhyrë në disa pika, por nuk i zgjidhim dot të gjitha problemet me programin e GIZ. Ne krijojmë modele dhe as do na i mirëmbajë qeveria gjermane, as do na i pastrojë GIZ, do t’i pastrojmë dhe menaxhojmë vetë. Por me asistencën e tyre ne kemi modelin se si bëhen”.

Ministrja Kumbaro përgëzoi punën e bërë nga bashkia e Skraparit për menaxhimin e mbetjeve.

“Sfida është e jona për të parë se si do e menaxhojmë në vazhdim. Bashkia e Skraparit është modeli jo vetëm sesi ka vullnetin për t’i menaxhuar mbetjet ndonëse është në një zonë malore, ndonëse në territor të vështirë, por se si ka arritur të krijojë kombinimin midis zbatimit të ligjit dhe asistencës të disa projekteve bashkë duke shmangur disa mbi vendosjen dhe duke ia dalë që nga pika fillestare që janë koshat deri në pikën fundore të krijojë një zinxhir komunikimi”, nënvizoi Kumbaro.

Sipas ministres, ka ende shumë punë për të bërë për menaxhimin e mbetjeve.

“Luftën me mbetjet do ta fitojmë kur të fusim mentalitetin dhe edukatën e ndarjes në burim”, tha Kumbaro duke shtuar se duhet të ulim volumin e mbetjeve, por kjo do shumë punë me qytetarët.

Sa i përket pastrimit të pikave turistike Kumbaro tha se “na duhet një punë shumë e madhe edukimi, por edhe ndëshkimi ndaj qytetarëve që lënë mbetjet në këto pika turistike”.