Ilir Meta, i cili tashmë e ka pranuar se nuk është një president mbi palët, është rreshtuar në kampin si një ndër kundërshtarët e fortë të Lulzim Bashës dhe sot ka përçuar një mesazh, i cili duket se i drejtohet vetë kryedemokratit.

Basha është etiketuar shpeshherë nga kundërshtarët e tij si “tradhtar” të kauzave të opozitës dhe Meta duket se flet sot me fjalët e tyre. Në një video të publikuar në profilin e tij zyrtar në Facebook, kreu i shtetit shkruan ndër të tjera se “Tradhtarin kushdo mund ta përdorë, por askush nuk e do”, kjo edhe si rezultat i akuzave se Basha po përdoret nga Edi Rama.

“Kurrë nuk do t’i tradhtoj përkrahësit e mi dhe shqiptarët. Më mirë të jesh i tradhtuar, se sa të jesh tradhtar. Tradhtarin kushdo mund ta përdorë, por askush nuk e do”, shkruan Meta.

Ilir Meta ka qenë personazhi kryesor i zhvillimeve politike në javën e fundit. Ndaj tij, ka nisur një seancë në Gjykatën Kushtetuese ku do të vendoset për fatin e tij në krye të Presidencës, e ndërsa është kthyer edhe në një aktor të rëndësishëm politik ku është thënë nga Sali Berisha se kanë negociuar së bashkë për koalicionin ‘Shtëpia e Lirisë’ për garën e 6 marsit.