Në këtë pjesë të tretë të raportit të CIA-s për shqiptarët në Jugosllavi, tregohet se si shqiptarët e Kosovës u lanë në dorë të fatit dhe u braktisën nga Shqipëria, në kohën kur fituan komunistët pas Luftës së Dytë Botërore. I gjithë progresi nga 1941 deri në vitin 1944, kur Shqipëria e Kosova u bashkuan, do zbehej. Serbët i eliminuan mësuesit shqiptarë në forma të ndryshme dhe të gjitha bëheshin “në harmoni të plotë me Enver Hoxhën” thotë raporti sekret i vitit 1953. Një pjesë flet edhe për torturat dhe maltretimet që pësuan ata që donin linjën kombëtare dhe jo atë komuniste.

Fundi i Luftës së Dytë Botërore i gjeti komunistët triumfatorë, prandaj edhe bashkimi kombëtar që ndodhi gjatë tri viteve (1941-1944) nga qeveria shqiptare që bashkëpunoi me gjermanët e italianët, u zhbë.

Nga viti 1941 deri në 1944 shqiptarët e Kosovës u furnizuan me mësues nga Shqipëria dhe u hapën shumë shkolla shqipe, por gjithçka do ndryshonte me marrjen e pushtetit nga komunistët.

Një raport sekret i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës Amerikane, e njohur si CIA, i vitit 1953 dhe i deklasifikuar pjesërisht në vitin 2011, të cilin e ka siguruar Albanian Post, në një pjesë të konsiderueshme flet për këtë periudhë kohore dhe ndryshimet që pasuan.

Raporti shpjegon se si edhe pas ardhjes së komunistëve u tha se gjuha shqipe do mbetej një nga gjuhet zyrtare në Kosovë, por më pas krijoheshin qëllimshëm pengesa që të bëhej pothuajse i pamundur përdorimi i shqipes – sidomos si gjuhë e administratës.

“Serbët u përpoqën t’i bindnin shqiptarët se ekzistimi i gjuhës shqipe krahas serbishtes ishte i kotë, meqë kosovarët e kuptonin dhe e flisnin serbishten”, thuhet në një nga paragrafët e raportit të CIA-s të cilin e ka siguruar AP.

“Gradualisht, gjuha serbe zëvendësoi shqipen si në zyrat civile ashtu edhe në ato ushtarake, megjithëse disa gjurmë të gjuhës shqipe mund të gjendeshin ende në zyrat publike deri në fund të vitit 1945”.

Sipas dokumentit, një nga manovrat që përdoronin komunistët ishte edhe ajo që formalisht u thuhej popullatës që mund t’u adreson institucioneve në gjuhën shqipe, “mirëpo, duke qenë se anëtarët e administratave ishin serbë, ata gjithmonë mund të pretendonin se nuk e dinin gjuhën”, prandaj nuk u kryenin punë.

Kështu përgjigjet për kërkesat ose kryerja e ndonjë pune administrative vononte tepër shumë, ose nuk bëhej fare.

“Prandaj, përkundër statutit që autorizonte përdorimin e gjuhës shqipe, serbishtja mbeti gjuhë administrative”.

Në 33 faqe tekst me kodin “50X1-HUM”, i cili përdoret për dokumente që kanë informacione nga burime njerëzore konfidenciale dhe që de-klasifikimi i emrave nuk guxon të ndodhë para 75 vitesh, tregohet se si “mësuesit e stafit të dërguar fillimisht nga Ministria e Arsimit nga Qeveria e Tiranës, për në Kosovë në vitet 1941 dhe 1942, u liruan gradualisht në fund të vitit 1945”.

Përjashtim bënin “tre-katër veta që u miqësuan me autoritetet”.

“Shumica e mësuesve u akuzuan për anëtarësim në ndonjë organizatë të fshehtë nacionaliste. Në mesin e të dënuarve me vdekje ishte Bedri Gjinaj, profesor në shkollën normale dhe drejtor i shkollës fillore të Gjakovës; Dr. Sylejman Lleshi, profesor i shkollës normale të Gjakovës;  dhe Skender Curri e Myrteza Kryeziu, të cilët të dy ishin mësues në Gjakovë”.

“Profesor Gjon Sereqi, me origjinë nga Ferizaj, u arratis në mal, por më vonë u kap nga OZNA (shërbimi sekret që më u riemërua si UDB-a”.

“Profesori Kil Margjini ishte dënuar sepse kishte qenë nënkryetar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit; vdiq në Pozharevc. Studentët që kishin ndjekur kurse pedagogjike u akuzuan për bashkëpunim me profesorët e mësipërm, dhe u dënuan me kushte të ndryshme dënimi në vitin 1945. Trajtim të ngjashëm morën edhe instruktorët shqiptarë në Maqedoninë Perëndimore”.

Një nga gjërat më interesante që shpalosë kjo pjesë e raportit të CIA-s ishte informacioni se si vrasja e mësuesve shqiptarë nuk bëhej pa dijeninë e regjimit komunist të Tiranës.

“Eliminimi i profesorëve nacionalistë në Kosovë në vitin 1945 u bë në harmoni të plotë me Enver Hoxhën”, thekson raporti.

Por, nuk përfundonte gjithçka me eliminimin. Plani ishte shumë më malicioz dhe përsëri bëhej me dijeninë, por edhe mbështetjen, e regjimit të Hoxhës.

“Nga Shqipëria u dërgua një personel i ri arsimor, i rekrutuar me nxitim nga studentë gjysmë-injorantë, të cilët nuk kishin formim të veçantë në pedagogji”.

“Ata u dërguan në dy grupe, njëri në vitin 1945 dhe tjetri në 1947, dhe numërojnë rreth dyzet deri në pesëdhjetë persona”.

Në Kosovë shkolla të reja do hapeshin, por në ato shkolla “gjuha e përdorur ishte serbishtja”.

Komunistët i detyronin shqiptarët që të mësonin për “historinë e luftës kombëtare jugosllave për çlirim, strukturat e Partisë Komuniste dhe biografitë e udhëheqësve komunistë”.

“Historia shqiptare nuk mësohej ende në shkolla. Çdo student që dinte ndonjë fakt të historisë shqiptare, i kishte mësuar ato me vullnetin e tij patriotik. Serbët guxuan edhe të kundërshtojnë origjinën e Skënderbeut. Sa herë që historia e Skënderbeut diskutohej, zyrtarët e Partisë deklaronin se kjo çështje është ende e paqartë në histori”.

Ishin krijuar edhe disa shkolla me konvikte ku shkonin nxënësit shqiptarë si në Prizren, Gjakovë, Pejë, Prishtinë, Mitrovicë e Gjilan në vitin 1946, por “ushqimi nuk ishte i mjaftueshëm për të plotësuar nevojat e të rinjve”.

“Në vitin 1947 racioni ditor i bukës përbënte një sasi prej vetëm 350 gramë. Në vitin 1948 racioni ditor i bukës u rrit në 500 gramë. Megjithatë, në pranverë të po atij viti nxënësit u dërguan të punonin në ndërtimtari”.

“Puna ishte planifikuar nga Partia dhe, ‘vullnetarët’ u zgjodhën nga listat e përpiluara për këtë qëllim nga organizatat rinore”.

Derisa, “kur nxënësit shqiptarë dëshirojnë të prezantojnë një shfaqje në gjuhën e tyre, sajohen të gjitha llojet e justifikimeve për t’i penguar që të marrin me qira teatrin”.

“Në përgjigje të kërkesave, Partia do të deklaronte se parimi dhe dëshira ishin legjitime, por kishte vështirësi të ndryshme si mungesa e kostumeve shqiptare, mungesa e orendive të përshtatshme, dekorimet, skenarët, etj”.

Nje nga paragrafet e dokumentit sekret te CIA-s

Dokumentet e CIA-s flasin edhe për pamundësinë e nxënësve shqiptarë që të lexonin libra shqip. “Shqiptarët nuk i frekuentojnë shumë bibliotekat”, thotë raporti, por kjo për arsye se “ka vetëm pak libra në gjuhën shqipe”.

Ishin krijuar disa biblioteka më herët, si ajo e Inspektoratit për Arsimin Publik në Prizren dhe bibliotekat e shkollave të mesme, ku Ministria e Arsimit e Qeverisë Shqiptare kishte pajisur gjatë viteve 1941-1944 me libra, por “këto biblioteka u plaçkitën më vonë nga partizanët”.

Ata, “disa nga librat ua dhuruan bibliotekave të Partisë dhe të tjerat i shkatërruan”.

“Bibliotekat e partive tani ruajnë disa nga këto libra si referencë për faktet dhe mendimet e së kaluarës shqiptare, në mënyrë që në të ardhmen të përdoren si propagandë e keqinterpretuar dhe shpifëse”.

Sa i përket aspektit politik të situatës, CIA shkruante se jugosllavët shpejt e kuptuan natyrën e taktikave sovjetike dhe kuptuan se ideologjitë ishin thjesht një mbulesë për projektet ambicioze pansllaviste të carëve, të zbatuara nga Stalini.

“Planet sovjetike u realizuan pjesërisht në Shqipëri nga Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu”.

Shkruesi/t e këtij dokumenti të dalë nga CIA, në një vend saktësojnë se Shqipëria e la Kosovën “në mëshirën e sllavëve në vitin 1946”.

“Por popullsia shqiptare nuk iu nënshtrua aq lehtë komunistëve, veçanërisht ata që jetojnë në rajonet malore. Mijëra njerëz u masakruan dhe u burgosën. Të tjerët u arratisën me sukses në Jugosllavi”.

Ndryshe nga Shqipëria zyrtare që e pranoi komunizmin, shqiptarët që jetonin jashtë kufijve faktikë, s’ranë prehë e kësaj ideologjie e cila fshihte planet sllave për dominim.

“Shqiptarët që jetonin në Kosovë, në Maqedoninë Perëndimore dhe në Mal të Zi, për fat të mirë nuk kanë pasur iluzione në lidhje me komunizmin jugosllav. Komunistët gjatë katër viteve të pushtetit të tyre nuk patën sukses në përpjekjet e tyre për t’i konvertuar ata, ndërsa në Shqipëri populli është mashtruar shpesh nga jugosllavët”.

Por, kur gjërat ndryshuan dhe raportet u prishën mes Shqipërisë e Jugosllavisë, “jugosllavët nxitën popullin e Kosovës kundër Shqipërisë për të krijuar përçarje mes tyre”.

“Do të ishte marrëzi të besosh në sinqeritetin e qeverisë jugosllave në përpjekjet e saj edhe po të përdorësh të gjitha mjetet e mundshme për të nxitur shqiptarët kundër qeverisë së Enver Hoxhës, pasi vetë komunistët jugosllavë sollën Hoxhën dhe grupin e tij në pushtet”.

Në një moment parashikimi brenda raportit të CIA-s, konstatohet se “kosovarët do të luftojnë në të ardhmen si kanë luftuar në të kaluarën për bashkim me atdheun e tyre”.

Megjithatë, “kushtet duhet të jenë që Shqipëria e ardhshme të garantojë lirinë demokratike të nënshtetasve të saj dhe të mbetet brenda orbitës së Kombeve të Lira”.

Në dokument përmenden edhe emra të caktuar patriotësh shqiptarë nga Kosova që përkundër dominimit të regjimit komunist, ata vazhduan të bënin përpjekje për ribashkim.

“Nga viti 1948 e tutje ata nacionalistë kosovarë që dyshoheshin se kishin komplotuar për ribashkimin e rajonit të tyre me Shqipërinë, u dënuan. I tillë ishte, për shembull, Rifat Berisha i Drenicës, i cili në një moment të volitshëm politik arriti të bëhet kryetar i Frontit Popullor të Kosovës”.

“I akuzuar si kominformist ai si pasojë iku në male. Më vonë u rrethua në malin e Istogut dhe humbi jetën në luftime. Nuk ka dyshim se ai punoi për çështjen kombëtare. Pas vdekjes së tij, tri grupe personash u arrestuan në Drenicë nën akuzën se i përkisnin një organizate sekrete nacionaliste të drejtuar nga reaksionarët, udhëheqësi i së cilës ishte Berisha. 12 të rinj që ishin anëtarë të kësaj organizate janë sot në pritje të gjykimeve të tyre në Prishtinë”, thuhet në dokumentin e vitit 1953.

Shkruhet edhe për shqiptarë të tjerë nga Kosova, të cilët kishin jetuar një periudhë kohore në Shqipëri dhe ishin kthyer në vitin 1948 në Kosovë.

Por, “ata u burgosën dhe u torturuan”.

“Një rast i tillë ishte ai i Ndue Preng Bajraktarit nga Prizreni i cili u kthye me gjashtë shokë, i sigurt dhe me besim se Jugosllavia ishte bërë një komb demokratik. Të gjithë u arrestuan dhe u dënuan me gjashtë vjet burgim me akuzën se kishin bashkëpunuar me italianët nga viti 1941 deri në 1943”.

Jugosllavët, kur i prishen raportet me regjimin e Hoxhës, kishin bërë edhe manovra të tjera, kur kishin futur në kurth dhe joshur disa shqiptarë të Shqipërisë.

“Autoritetet jugosllave bindën me sukses zyrtarët shqiptarë që kishin ardhur nga Shqipëria të qëndronin në Kosovë me premtime për shpërblim monetar në këmbim të nënshkrimit të një deklarate kundër qeverisë shqiptare. Kur u nënshkrua deklarata, emrat e tyre u botuan në gazeta dhe u transmetuan përmes radios, gjë që ua ndërpreu çdo mundësi që ata mund të kishin për t’u kthyer në vendin e tyre”.

“Por premtimet u harruan. Ata zyrtarë që kërkuan shpërblimin e premtuar u kërcënuan dhe u akuzuan për mashtrim të kosovarëve, si dhe përpjekje për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Më pas ata ose u burgosën ose u transferuan në lokalitete të tjera ku mbaheshin nën vëzhgim”.

“Të tilla raste përfshijnë profesor Serafin Mazrekun, një burrë shtatëdhjetë vjeç, i cili me shumë djem kishte ardhur nga Shkodra;  Muharrem Ymeraj i Tepelenës;  dhe Hysni Selmani me familjen e tij”.

“Jo vetëm që këta njerëz nuk kishin të bënin kurrë me autoritetet e Hoxhës, por ishin të indinjuar të përmendnin emrin e Hoxhës apo të ideologjisë komuniste”.

CIA në raport komenton edhe disa personalitete të tjera, shqiptarë, që në periudhën ndërmjet viteve 1945 dhe 1947, kishin organizuar lëvizjen nacionaliste.

Shumë prej tyre, do hetoheshin dhe do zhdukeshin.

“Duke përfshirë Ymer Berishën, Gjon Sereqin dhe Kapiten Rudin”.

“Këta njerëz dhanë shembuj të patriotizmit të madh duke punuar qoftë individualisht ose si udhëheqës grupi”.

Kishte nga nacionalistët që mund të iknin dhe të mos kapeshin, por ata u zunë, jo për mungesën e mundësisë së ikjes, por sepse zgjodhën të qëndronin.

“I tillë është rasti i Ibrahim Luftit, sekretar i Reis el Ulema, Kryemyfti i Sarajevës, i cili më vonë u bë prefekt i Kosovës. Luftiu e qëlloi veten, sepse nuk lejoi që ta merrnin të gjallë komunistët serbë”.

“Sula Hoti do të mbahet mend gjithashtu si udhëheqësi i vullnetarëve shqiptarë që luftuan në betejën epike kundër brigadave partizane pranë fshatit Lisockë të Kamenicës në dhjetor  të vitit 1944”.

“Mulla Idriz (Muderiz) i Gjilanit, një tjetër hero, luftoi kundër një grupi prej 600 bullgarësh në Gjilan, i cili u tradhtua dhe u torturua deri në vdekje. Ndue Perlleshi dhe Ndoc Mirakaj, dhanë jetën heroikisht në një takim me komunistët shqiptarë”.

Kishte edhe patriotë të tjerë që do kapeshin nga komunistët dhe do ekzekutoheshin.

Organizimi dhe vrasjet, sipas CIA-s, bëheshin nga komunistët në Kosovë në shumicën e herëve.

“Ka pasur disa burra të guximshëm që kanë shkuar në Beograd për të bërë hetime në lidhje me krimet e kryera kundër kosovarëve. Komiteti Qendror ishin shfaqur të habitur dhe u përgjigjën me shumë sinqeritet se ende nuk ishin informuar për çështjet në fjalë dhe se do t’i referoheshin Bordit të Partisë së Kosovës për shpjegime. Anëtarë të këtij Bordi të Partisë ishin Gjoko Pajkoviç, Pavle Joviçeviç, Çedo Topaloviç, Ismet Shaqiri, Kol Shiroka, vëllezërit Nimani, dhe Mehmet Hoxha”.

“Si anëtarë të bordit, këta njerëz nuk donin të bënin të ditur se ka pakënaqësi në Kosovë, dhe përveç kësaj, ata nuk dëshironin të humbin kohë në korrespondencë të gjatë. Në përgjigjen e tyre ata ka gjasa që kanë thënë se popullata është e etur për të bashkëpunuar me serbët në ndërtimin e socializmit në Jugosllavi dhe se është besnike ndaj Marshallit Tito dhe Partisë. Si rrjedhojë, radio dhe shtypi kishin theksuar situatën e mrekullueshme të krijuar në Kosovë dhe në Serbi nga njerëz me mendje dhe aftësi të jashtëzakonshme”.