Nga Jakin Marena

Gjykata Kushtetuese në një formë apo tjetër të hënën do të tërhiqet për të dhënë vendimin final për shkarkimin ose jo të Ilir Metës nga posti i Presidentit të Republikës.

Dhe sipas ligjit kjo gjykatë brenda 30 ditësh duhet ta japë këtë vendim, duke argumentuar nëse është i bazuar në Kushtetutë vendimi i shkarkimit nga ana e Parlamentit, sipas të cilit Ilir Meta në detyrën e tij si President ka kryer shkelje të rënda të Kushtetutës.

Ndërsa disa ditë më parë në seancën e parë të Kushtetueses kreu i shtetit kërkoi përjashtimin e katër anëtarëve të kësaj gjykate pasi sipas tij janë në konflikt interesi dhe u kishte përfunduar mandati, paralel me këtë fakt Meta tentoi të godasë njërën prej gjyqtareve, Papajorgjin, nën argumentin se kishte dhënë vendim të gabuar për çështjen e zgjedhjeve të 30 qershorit duke i certifikuar ato përfundimisht.

Ndërkohë që këtë të enjte këshilltarët-avokatë të Ilir Metës, quhen mbrojtës ligjorë të tij por që paguhen me paratë e taksapaguesve shqiptarë, kanë përgatitur një dosje voluminoze ku kanë të përmbledhur mbrojtjen që do t’i bëjnë shefit të tyre nga kërkesa e mazhorancës për shkarkim. Për të cilën kërkuan një afat 48 orë për t’u përgatitur më mirë, kërkesë që u mor parasysh nga trupa e Kushtetueses dhe u shty seanca për më 7 shkurt!

Pra parë në këndvështrimin zyrtar, shihet qartë se Ilir Meta ka aktivizuar të gjitha resurset ligjore që disponon në Presidencë, resurset mediatike ato që i kanë mbetur si dhe ato njerëzore, për të garantuar “mbijetesën” nga shkarkimi në Gjykatën Kushtetuese.

Por ndërsa ndjek ditë pas dite deklaratat e bashkëshortes së tij, njëherësh dhe kryetare e LSI-së Monika Kryemadhi, na paraqitet një “fotografim” tjetër i situatës së krijuar nga seancat në Kushtetuese për shkarkimin e Ilir Metës nga posti i Presidentit të Republikës.

Teksa ka deklaruar se misioni i saj ka përfunduar më 25 prill, data e zgjedhjeve ku LSI nën drejtimin e saj mori rezultatin më të keq që nga themelimi, Kryemadhi është shprehur se Ilir Meta mezi pret të rikthehet në partinë që themeloi, pasi Presidenca për të është një “kafaz” dhe një “burg politik”.

Ku me sa duket ka nisur të dalë pak e nga pak, në fillim duke mbështetur opozitën para 25 prillit të zgjedhjeve parlamentare dhe tashmë LSI-në, teksa sulmon “besëprerin” Lulzim Basha dhe në fund duke u takuar me liderin historik të PD Sali Berisha, për të arritur koalicionin me grupimin brenda kësaj partie që përfaqëson dhe duke pranuar 6 kandidatët e “Rithemelimit” nën siglën e koalicionit “Shtëpia e Lirisë” që merr kuptim me praninë në përbërje të tij të LSI si dhe të PDK.

“Meta nuk është vetëm lider i LSI, po dhe president i Shqipërisë, ka atributet e Presidentit dhe pozicioni i tij politik është në vendimmarrje, mezi po pret që të kthehet te miqtë e tij, një uragan politik siç është Meta dhe ta mbyllësh në një kafaz siç është Presidenca normal që është shumë

Nuk besoj tek sistemi i drejtësisë sepse ai ka dështuar. Me shkarkim pa shkarkim për Ilir Metën nuk do të jetë asnjë problem pasi mezi po duron për të dalë nga “burgu politik”, tha Kryemadhi. Deklaratë që e ka dhënë ditë pas dite sa herë që ka dalë para mediave e në emisione kryetarja e LSI

Një qëndrim të tillë e ka mbajtur dhe një javë më parë vetë Ilir Meta, teksa deklaroi se mbyllja në Presidencë ishte bërë me një skenar të caktuar, për të pasur atë jashtë politikës, megjithëse vetë e kishte pranuar si post thjeshtë dhe vetëm për të evituar krizën politike dhe institucionale në atë situatë të vështirë në të cilën gjendej vendi në atë kohë. Janë shpjegimet e Ilir Metës këto.

Ndërkohë që ka lënë për të kuptuar se mezi pret që ta mbyllë mandatin, me shkarkim ose jo duke e përfunduar më 24 korrik të këtij viti, që të rikthehet me nxitim ku e pret sipas tij me padurim “populli i 2 marsit”.

Parë në këtë këndvështrim, Kushtetuesja përpos detyrimit kushtetues për të analizuar të gjitha akuzat për shkelje Kushtetute që ka artikuluar mazhoranca dhe që kanë shërbyer si bazë për të vendosur shkarkimin e tij nga posti i Presidentit, duhet të kryejë dhe një detyrim njerëzor, duke vënë “dorën në zemër” për të shpëtuar dhe nxjerrë Ilir Metën nga “kafazi” ku e kanë futur me pahir dhe e kanë lënë për gati 5 vite me radhë, duke vuajtur këtë dënim të “pamerituar” në zyrën e Presidencës.

E thënë me terma më të thjeshtë Gjykata Kushtetuese përpos detyrimit kushtetues për të dhënë një vendim të drejtë për të gjitha zullumet kushtetuese në krye të Presidencës, e ka dhe detyrim njerëzor që ta nxjerrë, pra ta lirojë përfundimisht Ilir Metën nga “burgu politik” presidencial, sikurse e cilëson dhe bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi, në të gjitha daljet televizive.

Ndaj mbetet mister, të paktën për masën e gjënë të njerëzve, fakti se përse Ilir Meta, megjithëse e konsideron veten në “burg politik” presidencial, po lufton aq fort, me të gjitha mjetet e presionet për të qëndruar dhe 5 muaj të tjerë, deri më 24 korrik si kryetar shteti pikërisht në atë “burg”.

Ndoshta është i vetmi person në Shqipëri që po lufton pa dëshirë për të qëndruar në “burg”, qoftë ky dhe politik në Presidencë, sikurse thotë bashkëshortja e tij kryetare e LSI.

E vërteta e kulluar është se përfundimi para kohe me shkarkim i mandatit të Presidentit përpos faktit se Ilir Meta e ka çështje “hunde”, pasi do cilësohet ndër vite e dekada si i vetmi i president i shkarkuar në Shqipëri për shkelje Kushtetute, është dhe problem humbjeje beneficesh që të garanton ky post i mbyllur i plotë, pas përfundimit të mandatit kushtetues.

Pra një vendim i tillë do të ishte një njollë e përjetshme politike për Ilir Metën, për t’u kujtuar brez pas brez se si nuk duhet të jetë një president në Republikën e Shqipërisë, por dhe ekspozon beneficet dhe tregon se çfarë humb nëse shkarkohet.

Kështu, nëse Kushtetuesja konfirmon vendimin e Kuvendit, Meta humbet të gjitha privilegjet si ish president, bashkë me familjen e tij. Dhe për këtë mendojnë vetë ligjet e shtetit shqiptar, të miratuara dhe me votat e LSI dhe të vetë Ilir Metës.

Konkretisht, pika 4 e nenit 63 të ligjit për Gjykatën Kushtetuese parashikon se “kur vendoset deklarimi i shkarkimit nga detyra të Presidentit të Republikës, ai nuk përfiton trajtimet e veçanta të parashikuara për funksionarët e lartë”.

Nëse Kushtetuesja e shkarkon, Meta humbet të drejtën për t’u mbrojtur nga Garda, pas mbarimit të mandatit. Ligji për Gardën parashikon që Presidenti i Republikës, pas përfundimit të mandatit, gëzon të drejtën e mbrojtjes personale për 5 vjet, pra deri më 2027. Në rast shkarkimi Meta e humbet këtë të drejtë. Njëherësh Ilir Meta humbet edhe të drejtën për të marrë tre paga mujore pas largimit nga Presidenca si dhe 50 % të pagës deri në vitin 2025.

Meta humbet njëherësh dhe trajtimin si ish president nëpër ceremoni e festa zyrtare, apo pasjen e një zyre dhe një sekretareje të paguar nga shtetit shqiptar. Një tjetër privilegj që humbet Meta si ish president është shfrytëzimi i diferencuar i sallës VIP në Aeroportin “Nënë Tereza”, ndonëse ai mund ta fitojë si ish kryeministër në vitet 2000-2002. Si ish kryeministër Meta mund të mbajë pasaportën diplomatike.

Pra s’është e lehtë që Meta, vetëm 5 muaj nga “finishi” i përfundimit të mandatit presidencial, të sakrifikojë “burgun politik” dhe të shkojë ndoshta dhe në krye të LSI, duke humbur të gjitha të mirat që të garanton mbyllja i plotë i mandatit presidencial.

Megjithatë duhet të presim vendimin e Kuyshtetueses, e cila nga 7 shkurti kur u shty seanca e radhës ka një afat 30 ditë për të vendosur nëse do shkarkojë ose jo Metën nga posti i Presidentit, duke i bërë në të njejtën kohë dhe një shërbim: Lirimin e tij para kohe nga “burgu politik”.

Shpresojmë që Kryemadhi të mos ketë “ndjellë” ters me deklaratat e saj për “burgun” e Metës në Presidencë, pasi pa mandatin presidencial, për shkak të akuzave për abuziom me pushtetin, të artikuluara me shumicë nga aleati i tij politik dhe “pika e tij e dobët” Sali Berisha, mund të përfundojë para drejtësisë së re dhe të vërtetë realisht. Dhe kur “shqiptohet” nga drejtësia ky term është shumë i dhimbshëm.