Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Artan Lame ishte sot në Berat për të shpërndarë lejet e legalizimit pas përmbylljes së procesit në njësinë administrative Velabisht.
Në fjalën e tij, Lame tha se “Berati i sotëm nuk është si nata me ditën krahasuar me vitin 2013, por është realisht i ndryshuar. Unë nuk gjeta asgjë sot nga gjërat e dhimbshme që gjeja atëherë”.
“Një nga çështje që kërkonim atëherë të çonim përpara ishin legalizimet. Dhe realisht legalizimi ka ecur përpara bashkë me regjistrimin e tokës dhe plotësimin me dokumentacion që nuk e kanë marrë akoma. Tashmë që askush nuk dyshon se legalizime janë bërë dhe po bëhen, ajo që duam të tërheqim vëmendjen janë pikërisht problemet e tokës bujqësore. Megjithatë në qytete si Berati problem është edhe ai i shtëpive të vjetra të zonës Mangalem, qoftë të Kalasë, që nuk kanë dokumentacion se janë djegur në ’97-ën. Problemi është si ta zgjidhim këtë situatë”, u shpreh Lame.
Po ashtu, Lame shtoi se zona e Velabishtit është një zonë që ka shumë ndërtime që kanë hyrë në proces legalizimi dhe një pjesë e mirë e banorëve janë jashtë vendit.
“Nëse keni mundësi njoftoni sepse nuk kemi mundësi që ne të bëjmë matjet në ato shtëpi që nuk janë pronarët. Ishte një shifër e madhe e shtëpive të legalizuara rreth 500, por ende kanë problem regjistrimin e shtëpive të vjetra”, apeloi Lame banorët.
Më pas u ndanë certifikatat e legalizimit.