Aktori i njohur i humorit, Albano Bogdo, u arrestua dy ditë më parë nga policia pasi u kap duke drejtuar makinën pa patentë.
Albano Bogdo u prangos nga policia rrugore rreth orës 01:39 të mëngjesit të 22 shkurtit.
Është bërë e ditur se Bogdo po ngiste një makinë “BMW” dhe u ndalua në Bulevardin Bajram Curri.
Ditën e sotme, Gjykata e Tiranës e ka lënë të lirë aktorin e humorit, i cili gjithashtu dha një deklaratë të shkurtër para organeve:
“Jam njohur me letrën e të drejtave të mia dhe shpjegime do të jap në një fazë tjetër të hetimit. Gjë tjetër nuk kam për të thënë.”
Mësohet se gjykata ka caktuar ndaj aktorit të humorit masën e detyrimit të paraqitjes.
Albano Bogdo njihet për rolet e tij të shumta në emisionin “Klanifornia”. Por ai mori më shumë emër kur ishte pjesë e programit “2XL”.
Lajme të tilla kanë dalë edhe më përpara për Albano Bogdon. Në vitin 2017 disa foto të publikuara nga Syri.net dhe më pas shpërndarë nga media të tjera, treguan aktorin e lidhur me pranga dhe të rrethuar me shumë forca policie.
Si duket e gjitha kjo kishte qenë një lojë për të promovuar programin “2XL”, pasi policia tha se “shërbimet tona as kanë shoqëruar as kanë arrestuar njeri me emrin Albano Bogdo”