Të gjithë banorët të cilët preken nga zhvillimi i lagjes së re tek “5 Maji” do të marrin metrat e ndërtimit, të përkthyera në apartamente më të mira dhe me vlerë më të lartë në treg, për shkak të urbanizimit të zonës.
Banorët që protestojnë me pretendimin se Bashkia e Tiranës nuk i ka informuar dhe se ata do të mbeten në rrugë, duket se janë të nxitur politikisht dhe nuk pranojnë të firmosin kontratat e sipërfaqeve të reja që përfitojnë, të cilat mund t’i nënshkruajnë në çdo moment pranë njësive administrative Nr.4 dhe Nr.8. Pjesa tjetër e banorëve, që preken nga projekti i lagjes së re, I kanë firmosur kontratat me Bashkinë e Tiranës, sipas asaj çfarë parashikon VKM e shtatorit 2021, e cila thotë shprehimisht se këta banorë kompensohen 100% me shtëpi në pallatet e reja, me të njëjtën sipërfaqe në metra katrorë të banesës që zotërojnë aktualisht.
Nga një vëzhgim i thjeshtë i protestuesve në ekranet e televizioneve, më poshtë gjeni të listuar të gjithë personat e prekur nga projekti dhe metrat katrorë që përfiton secili prej tyre, pavarësisht se disa prej tyre kanë ndërtuar pa leje dhe nuk kanë legalizim.
Liza Marku – Familja e saj ka një objekt prej 356 m2, shtëpi banimi të palegalizuar, dhe nëse firmos akt marrëveshjen me Bashkinë e Tiranës sot, do të përfitojë 356 m2 shtëpi, apartament, me hipotekë, në pronësi të plotë, që mund ta trashëgojë sipas ligjit.
Mark Deda, edhe pse ka ndërtuar pa leje dhe ndërtesën e ka ende në proces legalizimi për sipërfaqen 106 m2, falë VKM-së së shtatorit ai do të përfitojë të njëjtën sipërfaqe prej 106 m2 në godinat e reja të lagjes së re. Banesa e tij e re do të ketë edhe hipotekën përkatëse.
Fadil Mziu ka një pronë 239 m2 truall dhe 187 m2 ndërtesë. Kontratën e ka gati dhe mund ta firmosë kur të dëshirojë: Sipas kontratës përfiton 187.1 m2 sipërfaqe banimi dhe në shkëmbim për truallin, merr edhe 115.94 m2 sipërfaqe banimi. Gjithsej, Fadili përfiton 303 m2 shtëpi banimi.
Klodian Laçi ka aplikuar për bonusin e qirasë. Ai ka 215 m2 truall dhe 98 m2 ndërtesë. Klodiani do të përfitojë 98.4 metra ndërtim, për sipërfaqen e banimit, dhe 104 metra ndërtim banesë për truallin. Gjithsej përfiton 202 m2 shtëpi banimi, sapo të firmosë kontratën që e pret në çdo moment.
Laureta Nikolli, jopërfituese, e bija e Gjin Nikollit. Gjin Nikolli ka 131.8 m2 ndërtesë dhe do përfitojë 131.8 m2 banesë.
Anila Gaxhenji, përfituese, banesa e së cilës është në proces legalizimi me sipërfaqe aktuale 278 m2 ndërtesë. Edhe sipërfaqja që do të përfitojë sapo të firmosë kontratën që e ka gati, është po 278 m2 shtëpi banimi.
Bekimi Çerri banon në shtëpinë e vëllait, Kujtim Çerri, i cili ka 42.7 m2. Do të përfitojë po ashtu 42.7 metra shtëpi banimi.
Flora Mhilli, motra e Arben Markut. Banesa e Arben Markut është në proces legalizimi me sipërfaqe aktuale 353.6 m2 ndërtesë, gjithashtu do përfitojë 353.6 m2 njësi banimi. Arben Marku ka firmosur akt-marrëveshjen.
Nga ana tjetër, për të lehtësuar këtë periudhë, Bashkia e Tiranës ofrohet që secilit prej banorëve që preken nga projekti t’u paguajë qiranë e shtëpisë, derisa ata të marrin në dorë çelësat e banesave të reja. Këta banorë mjafton të paraqiten në njësinë administrative dhe të firmosin kontratën dhe marrjen e bonusit të qirasë.