Nga Mero Baze
I pari që nxitoi të reagojë për luftën në Ukrainë ishte Ilir Meta. Presidenti, i cili ka mbledhur regullisht Këshillin e Sigurisë Kombëtare kur ka pasur probleme të veta, apo dyshime për lidhje kriminale, këtë radhë e mblodhi për hatanë që do ta gjejë Shqipërinë nga lufta në Ukrainë. Për të ilustruar shqetësimin e tij kishte gjetur disa importues të industrisë ushqimore që kanë lidhje me Ukrainën dhe po na paralajmëronte për krizën e drithrave që do na gjejë pas tri mujash, pasi ne marrin grurë nga Rusia dhe Ukraina.
Pastaj vazhduan shqetësime të tjera. Edhe energjia do të rritet, pasi ata mund të bllokojnë gazin dhe centralin e Çerbnobillit. Pastaj dhe më tej paralajmërime për rreziqe të tregjeve nga lidhja me luftën në Ukrainë.
Që kur ka nisur lufta në Ukrainë, ata që me shpirt e zemër janë me Rusinë në Tiranë, në fakt nuk është se dalin hapur. E dinë që ëshët e rëndë të thonë “mirë po bën Putini”. Por kanë gjetur disa mënyra se si të shprehen.
Një palë bëjnë cinizëm me gatishmërinë formale protokollare të shtetit shqiptar për t’iu bashkuar sanksioneve ndërkombëtare kundër Putinit. Demek që “ku çan kokë Putini nga Olta Xhaçka, Niko Peleshi apo Mimi Kodheli”. E dimë që nuk mërzitet, por nuk e kuptoj këta pse mërziten që shteti shqiptar shprehet formalisht pro Perëndimit kundër Rusisë. Mund ta ruajnë qetësinë dhe të mos mërziten. Njësoj si Putini.
Një tjetër kategori janë ata që thonë “kokën hëngërshin” se demek janë popuj sllavë dhe i kemi armiq. Në fakt këta janë duke thënë “kokën hëngërt Ukraina që nuk dorëzohet”.
Edhe më vulgare është kur gjejnë argumente të tipit “Ukraina nuk ka njohur Kosovën, s’kemi pse jemi me atë”. E në fakt, Rusia që po sulmon Ukrainën pikërisht duke përdhosur ndërhyrjen ndërkombëtare në Kosovë, paska të drejtë sipas tyre. Aty e zbulojnë që paskan qenë po aq të mërzitur dhe kur është çliruar Kosova.
Kategoria e tretë më tragji-komike është kjo e presidentit dhe shokëve të tij. Këta na paralajmërojnë për të zezat që do na gjejnë nga kjo luftë, po qe se qeveria jonë, nuk kompenson çdo dëm që vjen nga lufta në Ukrainë. D.m.th nëse mbetemi pa grurë, ta gjejë qeveria, nëse rriten çmimet e energjisë, t’i paguajë qeveria, nëse ngelemi pa gaz, ta gjejë dhe të na e falë qeveria etj.
Këta në fakt duken më të gëzuarit e luftës, pasi e shikojnë atë si një rast për të kërcënuar qeverinë, se mos lejon të na prekë ndonjë pasojë e luftës.
D.m.th, kur flet për luftën në Ukrainë, për të vrarët dhe heronjtë që po mbrojnë atdheun e tyre, kur flet për viktimat dhe vuajtjet e mijëra e mijra qyetarëve që i ikin luftës, presidenti ynë ka në mendje dhe zemër shpresën se ndoshta kjo luftë prmbys Edi Ramën në Tiranë.
Dhe po ja tregon vijën e kuqe, që nuk do të lejojë të shkelë qeveria: Të mos lejojë asnjë pasojë të luftës së Ukrainës në Shqipëri. Ndryshe ka punë me Ilir Metën. Kështu kërcënon Putini presidentin e Ukrainës: I thotë nuk po sulmojë Ukrainën, por po vij të mbroj qytetarët nga ty.