Nga Nertil Jole/ Data 19 shkurt përkon me fillimin zyrtar të fushatës elektorale për zgjedhjet e pjesshme të 6 Marsit. Kjo krijon edhe mjedisin legal të konkurrimit mes kandidatëve që garojnë për të drejtuar institucionin e bashkisë, me mundësinë që të përshfaqin më dukshëm vizionin dhe ofertat politike e individuale që përfaqësojnë.
Bashkia e Shkodrës ka 32 vite që keqadministrohet nga i njëjti krah politik. Produkti i këtij besimi politik të palëkundur në tre dekada, është vetë pamja mjerisht e trishtueshme e një qyteti me traditë e histori unikale, që nëse do të ishte administruar siç vërtet e meriton për kontributin që i ka dhënë historisë kombëtare, me siguri që do të befasonte pozitivisht çdo vizitor vendas e të huaj. Sepse nuk i mungon asgjë, madje as natyra e mrekullueshme.
Ndaj, çdo aritmetikë elektorale që interpretohet sipas orekseve të palëve politike nëpër mediumet mediatike apo thashethemnajave që përhapen nëpër kafene, duhen vlerësuar si tentativa manipulative të nxitura nga eksponentë të dështuar politikë, që për arsye mbijetese në tregun e politikës së ditës, synojnë të mbajnë të nënshtruar shpresën e njerëzve për ndryshim.
Kjo formë prezantimi e idesë se realiteti i Shkodrës është i pakthyeshëm, është thjesht një propagandë e stimuluar për ta trajtuar politikën si tabu, jo si fuqi që sjell zgjidhje të prekshme për njerëzit.
Ndaj këtë herë në Shkodër, energjia negative e faktorëve që nuk e duan ndryshimin për arsye mbijetese politike dhe dritëshkurtësie, do të ketë një ndikim shumë relativ. Për më tepër që njerëzit e kanë aftësinë të dallojnë se cila është kandidatura që i ka cilësitë e duhura e që mishëron energjinë pozitive për të shërbyer vetëm në interes të tyre, krahasuar me dy kandidaturat e tjera që i ofrohen komunitetit shkodran thjesht si imazhe-fasadë të dy gjysmave identike brenda llojit, që hallin primar nuk kanë fatin e Shkodrës, por se kush do të sigurojë “çmimin e argjentë” apo “bronz”.
Pasi “çmimin e artë” dihet se e meriton vetëm Majlinda Angoni, dhe jo sepse sipërmarrja e saj familjare prodhon art, por sepse si asnjëherë më parë sot shkodranët kanë të gjitha argumentat për ta shembur nëpërmjet një besëlidhjeje të re qytetare, tabunë ideologjike të ndërtuar në emër të propagandës politike për tre dekada, e cila fatkeqësisht iu ka shpërdoruar atyre edhe çdo emocion legjitim njerëzor. Dhe kjo duhet bërë jo në emër të siglave politike, por vetëm me qëllimin për të ndërtuar një bashkëjetesë komunitare jashtë gardheve politike apo interesave klienteliste, duke garantuar në këtë mënyrë ndryshimin e shumëpritur për Shkodrën, që në fakt nuk është vetëm e shkodranëve.
Kjo është arsyeja kryesore pse Majlinda Angoni këtë herë do të jetë zgjedhja e logjikshme dhe e natyrshme e momentit. Ajo përfaqëson qytetarinë e vërtetë, sipërmarrësen e suksesshme që ka tejkaluar kufijtë europianë me kryeveprat e “VeniceArt”, kurajon e një gruaje të angazhuar në një realitet me ngjyra të forta patriarkale, si dhe aktivisten e angazhuar në jetën publike që politikën nuk e konsideron mjet për të mbajtur një karrige me këmbë të thyera nga konflikti brenda llojit, por si instrument për të jetësuar ndryshimin dhe zhvillimin që meriton një qytet si Shkodra, me punë të palodhur dhe vizion bashkëkohor.
Sigurisht që 300 ditë nga afati i kësaj kontrate nuk do të mjaftonin për të zhbërë 32 vite të mungesës së punës, por me siguri që 300 ditë janë një kohë e mjaftueshme për të kuptuar se cili vizion duhet mbështetur pa asnjë ekuivok edhe në 4 vitet që do të pasojnë.