Nga Nertil Jole

Erdhi ora që Shkodra të ketë një kandidaturë dinjitoze në garën për Kryetar Bashkie. Qytetarët e bashkisë Shkodër këtë herë kanë mundësinë për të zgjedhur si administratore të qytetit, një zonjë të nderuar si Majlinda Angoni, e cila me cilësitë që ka përfaqëson jo thjesht ajkën e qytetarisë shkodrane, por edhe modelin e shkëlqyer sesi angazhimi në jetën publike nuk përdoret për protagonizëm shterp politik, por si shërbim cilësor publik, për të transformuar pozitivisht realitetin e ngrysur të një qyteti që ka histori banimi mijëvjeçare.

Shkodra si kryeqëndra e veriut të Shqipërisë, e meriton shumë rikthimin e shkëlqimit të munguar. Jo vetëm për shkodranët që jetojnë aty, por edhe për gjithë bashkëkombasit dhe të huajt që e vizitojnë atë qytet, pasi çmojnë kulturën, historinë dhe traditën shkodrane.

Njësoj si Korça sot është kthyer në portën më të spikatur mikpritëse të turizmit juglindor, ashtu edhe Shkodra duhet të kthehet në portën mikpritëse të turizmit verior. Me këtë i referohem zhvillimit që domosdoshmërisht i duhet qytetit të Shkodrës, për të instaluar infrastrukturën e nevojshme që do të shërbejë si katalizator kryesor, për një zhvillimi të ri ekonomik, turistik, social, kulturor e mjedisor.

Dua të përmend tre dimensione kryesore pse besoj se Majlinda Angoni është kandidatura e duhur, në momentin e duhur për Shkodrën.

Ajo ka një angazhim dhe realizim të spikatur në fushën e biznesit. Së bashku me bashkëshortin e saj kanë themeluar “Venice Art”, një biznes unikal e të suksesshëm në tregjet më elitare botërore, për prodhimin dhe eksportimin e maskave veneciane. Kjo sipërmarrje nuk ka skalitur vetëm portretin e familjes Angoni si një familje shumë artdashëse, por ka pasuruar akoma më shumë thesarin e trashegiminë artistike të qytetit Shkodrës. Pra, “Venice Art” është tashmë një “brand” që e identifikon qytetin e Shkodrës për lidhjen historike me kulturën venedikase, jo vetëm kombëtarisht por edhe ndërkombatërisht.

E pavarësisht se me gjasë zonja Angoni nuk e ka patur aspak të pamundur të jetojë kudo gjetkë nëpër botë, ajo ka zgjedhur të mos e braktisë qytetin e saj, por të bashkëjetojë me komunitetin e vendlindjes. Arsyeja kryesore mendoj se duhet të jetë dashuria dhe lidhja shpirtërore që ka me këtë qytet.

Këtë e dëshmon edhe përfshirja e saj shumë aktive në shoqërinë civile, në një realitet jo pak patriarkal, që përbën edhe dimensionin e saj të dytë e më kryesor, për atë që përfaqëson si qytetare model dhe shumë e angazhuar.

Me një kontribut 30 vjeçar, si një nga nismëtaret e lëvizjeve të para të gruas në Shqipëri dhe Kosovë, ajo ka krijuar dhe drejtuar dy qendra këshillimi në Prizren dhe Pejë, dhe ka themeluar organizatën “Gruaja tek Gruaja” me qendër në Shkodër, duke luajtur një rol me ndikim shumë të rëndësishëm në mbrojtjen e të drejtave të grave dhe vajzave, kryesisht brenda rajonit të Shkodrës, por edhe më gjerë.

Ndërsa dimensioni i tretë që do i veçoja, është angazhimi i saj politik i periudhës së fundit, në rolin e Prefektes së Qarkut të Shkodrës. Falë vëmendjes së saj, për herë të parë zona e Thethit dhe Vermoshit morën rëndësinë e duhur, sa i takon zhvillimit të turizmit dimëror. Ndërkohë, në detyrën e Prefektes së Qarkut Shkodër, ajo do të mbahet mend edhe për administrimin dhe koordinimin e suksesshëm të krizës së fundit të përmbytjeve, duke dhënë një kontribut të qënësishëm në konsolidimin e kulturës së punës në këtë institucion.

Mendoj se zgjedhjet vendore në Shkodër këtë herë nuk duhet të jenë shprehje e asnjë tifozerie politike, por një besëlidhje e re qytetare, vetëm për interesin e Shkodrës. Për më tepër që të gjithë e dimë, ose më saktë e kemi të faktuar, se ndryshimi nuk mund të burojë nga e njëjta frymë e sprovuar e politikës përçarëse, brenda apo jashtë llogoreve politike.

Ndryshimi që i shërben të gjithëve duhet të burojë vetëm nga një bashkim e mbështetje vëllazërore për kandidaturën e Majlinda Angonit, që në themel të angazhimit të saj publik ka fuqinë e qytetarisë dhe dashurisë për vendlindjen e saj dhe qytetin unikal të Shqipërisë, që padyshim e meriton të ecë shumë më shpejt në rrugën drejt zhvillimit të shumëpritur.

Edhe pse në këto zgjedhje kontrata e qytetarëve shkodranë me Majlinda Angonin do të ishte vetëm për 15 muaj, kjo kohë gjithësesi do iu mjaftonte atyre për të kuptuar sesi duhet të vazhdojnë./dritare.net