Mesfushori i Chelseat, N’Golo Kante mund të nisë një aventurë franceze duke nisur që nga vera. Futbollisti i Bluve të Londrës është në fokusin e PSG-së dhe në merkaton e ardhshme kryesuesit e Ligue 1 mund të marrin hapin për t’i bërë një ofertë londinezëve për të siguruar shërbimet e mesfushorit.

30-vjecari mbetet një prej lojtarëve më të dalluar te Chelsea, teksa këtë edicion numëron 25 ndeshje në të gjitha garat, por edhe pse është një titullar i padiskutueshëm e ardhmja e tij në Stamford bridge nuk është e sigurt. Në verë, mesfushori do të futet në vitin e fundit të kontratës, çka do e shtyjë që të mendojë për të ardhmen e tij dhe një ofertë e kënaqshme nga PSG mund ta nxisë që të transferohet në Paris.

Cilësitë e Kante janë të padiskutueshme teksa në vitet e fundit ia ka dalë që të fitojë 2 Premier League, 1 Champions League, 1 FA Cup, ndërsa u shpall fitues dhe me Francën në Kupën e Botës. PSG e sheh si një element që do të shtonte muskujt dhe energjinë në skuadër e natyrisht Kante do të ishte një vlerë e shtuar për skuadrën e Mauricio Pochetinos. Chelsea në anën tjetër vështirë se do të dorëzohet lehtë, teksa me shumë gjasa do të bëjë çmos që të mos humbasë shërbimet e 30-vjeçarit.