Mauricio Pochettino ka këmbëngulur se asnjëherë nuk ka pasur asnjë dyshim në Lionel Messin në Paris Saint-Germain, duke thënë se bashkatdhetari i tij argjentinas mbetet më i miri në botë, pas një paraqitje shumë të mirë të tij të dielën.

Messi e nisi shumë ngadalë jetën në PSG, por ish-ylli i Barcelonës shkëlqeu në fitoren thellë 5:1 kundër Lille.

Argjentinasi e shënoi një gol dhe e dha një asist ndaj kampionit të Ligue 1 dhe Pochettino thotë se është vetëm çështje kohe para se Messi të shpërthejë.

“Nuk kam pasur dyshime, Leo është më i miri në botë”, tha Pochettino pas ndeshjes.

“Sikurse të gjithë, edhe ai ka nevojë për kohë për t’u përshtatur. Ai kishte nevojë për kohë për ta rimarrë veten, pasi kishte një muaj pa luajtur shkaku i koronavirusit”, shtoi ai.

Goli i të dielës ishte vetëm i dyti për Messin në Ligue 1, megjithëse ai ka shënuar gjashtë gola në të gjitha garat.