Nga Dritan Hila/ Sot presidenti kishte nxjerrë një tabelë çmimesh të karburanteve. Është një rast i rrallë ku nuk është punë gjobe dhe as shqetësimi qytetar. Është një tentativë për të shmangur vëmendjen e publikut nga ngjarja e ditës që është shkarkimi i presidentit.
Në fakt publiku e ka problem ngritjen e çmimit të karburanteve, por ky është një problem ku dorë ka edhe presidenti ynë. Në kaq vite qeverisjeje, ministrat e tij ishin mësuar t’ju vinin traun tregtarëve të karburanteve që të paguanin gjobën mujore duke futur veç taksave të tjera në kurriz të konsumatorit, edhe taksën e korrupsionit. Janë disa tregtarë që mbyllën aktivitete gjatë kësaj kohe duke ua shitur klientëve të pushtetit.
Ndaj tabela e shfaqur në murin e profilit social të tij të rrjeteve sociale, ju rikujton edhe njëherë shqiptarëve se pavarësisht se nga dita e 11 viteve më parë kur zv/kryeministri i Sali Berishës u kap duke bërë pazare, koha dhe kujtesa e shqiptarëve nuk i ka amnistuar.
Berishën dhe Metën mund t’i amnistojnë gazetarët që paguhen nga paratë e dyshes; mund t’i amnistojë Edi Rama që e bëri edhe president; mund të bëjë sikur i harron edhe Basha, por është e mira mos ta harrojë Gjykata Kushtetuese kur të japë vendimin. Vendim i cili më shumë sesa për sjelljen ordinere të tij në gjysmën e parë të vitit që shkoi, ka lidhje me dënimin e momentit kur e zgjodhën në krye të vendit.