Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro bëri të ditur, se “qeveria është e vendosur të ndërmarrë masa që synojnë ruajtjen dhe mbrojtjen e mjedisit, me qëllim përmirësimin e parametrave të tij, si faktor i rëndësishëm në nxitjen e turizmit në Shqipëri”.
E pranishme në Komisionin e Kuvendit për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, gjatë diskutimit të ligjin “Për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve” të ndryshuar, Kumbaro tha se, “nëpërmjet këtij ligji parashikohet mënyra e trajtimit të mbetjeve, duke i ndarë ato në kategori dhe procese, nga pika fillestare deri në pikën fundore të tyre”.
Kumbaro theksoi se, një nga kategoritë e mbetjeve, me përdorim të gjerë dhe të përditshëm nga çdo qytetar është qesja plastike mbajtëse, e cila përfshihet në llojin e mbetjeve të prodhuara nga ambalazhet sipas VKM së vitit 2012.
“Ne propozojmë ndryshime në tri nene të ligjit “Për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve” të ndryshuar. Konkretisht në nenin 29, të këtij ligji kërkojmë të shtohet paragrafi, ‘ndalohet përdorimi, hedhja në treg, prodhimi dhe importimi, apo futja e qeseve plastike në territorin e Shqipërisë, qofshin këto edhe qese plastike të oxo-biodegradueshme”, tha Kumbaro.
Kumbaro tha se, në nenin 2 të këtij ligji, parashikohet shtimi i sanksioneve që vijnë nga mosrespektimi i ndryshimeve në nenin 29.
Sipas saj, dënohen me gjobë nga 1 milion lekë deri në 1.5 milionë lekë kushdo që fut në territorin e Shqipërisë qese plastike mbajtëse shumë të lehta, qese plastike mbajtëse të lehta dhe qese plastike të oxodegradueshme dhe oxo-biodegradueshme.
Çdo person që përdor në territorin e Shqipërisë qese plastike mbajtëse shumë të lehta, qese plastike mbajtëse të lehta dhe qese plastike të oxodegradueshme dhe oxo-biodegradueshme, dënohet me gjobë nga 30 mijë deri në 100 mijë lekë.
“Nisma ligjore i bashkohet lëvizjes globale, dhe vjen në linjë me direktivat e BE-së, ku vende të ndryshme që po marrin masa të ndryshme për ndalimin e përdorimit të qeseve plastike. Masat e ndërmarra synojnë reduktimin e plastikës së dëmshme për një mjedis të pastër që ndihmon në zhvillimin e turizmit dhe të ekonomisë së vendit”, deklaroi Kumbaro.