Pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Ilir Metën, socialistët do duhet të propozojnë emrin e Presidentit të ri për shkak të përfundimit të mandatit.

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, në një intervistë për Klan News flet për një proces gjithëpërfshirës.

“Ne do të bëjmë një proces gjithëpërfshirës, dhe synojmë të kemi në krye të këtij institucioni një figurë të paanshme dhe të përfaqësojë unitetin e popullit. Mund të përdoret instrumenti shumë efektiv i Këshillimit Kombëtar, të pyeten njerëzit për pëlqyeshmërinë që kanë për figura të ndryshme. Patjetër dhe PD dhe deputetë të tjerë kanë një proces të gjerë konsultimi, të dalim me një emër dinjitoz”.

Spiropali flet për mundësinë e të zgjedhurit për herë të parë një grua në krye të shtetit por dhe nëse ajo vetë e ka marrë një propozim të tillë.

“Kjo bisedë nuk është bërë. Nuk e përjashtoj mundësinë që të jetë një Presidente grua, por përjashtoj mundësinë të jem unë”.

Sa i përket zgjedhjeve të 6 Marsit, Spiropali thotë se nuk i sheh si një referendum politik.

“Besoj se kemi kandidatët më të mirë për të qeverisur në ato bashki. Nuk e shohim si një referendum politik. Kandidatët përballë janë të copëzuar në beteja për dy njerëz, Lulzim Bashën dhe Sali Berishën”.

Ndërsa për debatet në parlament me dy opozitat brenda PD, Spiropali bën thirrje për të hequr dorë nga gjuha denigruese me socialistët.

INTERVISTA E MINISTRES SË SHTETIT PËR MARRËDHËNIEN ME PARLAMENTIN, ELISA SPIROPALI PËR KLAN NEWS

Votimi i zgjatjes së mandatit të vetingut:

E nisim këtë intervistë tashmë me një mision të përmbushur përsa i përket zgjatjes së afateve të vetingut. Është diskutuar shumë se mes jush dhe Partisë Demokratike se ka pasur negociata dhe pazare, sa qëndron kjo.
Ministrja e Shtetit për Marrëdhënien me Parlamentin, Elisa Spiropali: Nuk ka pasur negociata dhe as pazare. Për ne ka qenë e qartë që votimi i shtyrjes së afateve Kushtetuese për organet e vetingut është një detyrim që secila forcë politike dhe secili deputet e ka në momentin që është betuar për të ushtruar atë detyrë. Ne besojmë shumë që procesi i vetingut është vendimtar për Reformën në Drejtësi ashtu siç reforma është thelbësore për proceset tona integruese.

Në këmbim u duk se kanë qenë dy komisionet ai për Reformën Territoriale dhe Zgjedhore, si parashikohet ecuria e këtyre komisioneve? Do jenë në vazhdën e diskutimeve apo ekziston mundësia për të dhënë votën pro depozitimeve të Partisë Demokratike?
Ministrja e Shtetit për Marrëdhënien me Parlamentin, Elisa Spiropali: Ngritja e dy komisioneve të posaçme për Reformën Zgjedhore dhe për atë Administrativo-territoriale nuk kanë lidhje me procesin e vetingut. Nuk janë kërkesa apo cedime për procesin e votimit të vetingut. Janë dy gjëra të ndara. Ne besojmë se është domosdoshmëri që të ulemi në tryezat e komisioneve të posaçme për të diskutuar për çështje kaq të rëndësishme siç është plotësimi i rekomandimeve të OSBE-ODIHR dhe Komisionit të Europës përsa i përket zgjedhjeve. E kemi bërë të qartë edhe në objektin e komisioneve që bëhet fjalë për këtë. Ne kemi detyrim që rekomandimet e OSBE-ODIHR-it përmes ndryshimeve ligjore që mund të kërkojë, t’i materializojmë në një diskutim të hapur propozimesh në Komisionin e Reformës Zgjedhore. Proceset nuk kanë lidhje. Edhe propozimet që ka opozita për Reformën Administrativo-Territoriale, ne jemi të hapur t’i diskutojmë të gjitha opsionet, mund të kemi mendime të ndryshme. Ne kemi opinionin tonë, ashtu siç ekspertët kanë opinionin e tyre. Kjo tryezë është një mundësi që përtej diskutimeve të kryetarëve të grupeve apo qeverisë e deputetëve, ne të biem në një dakordësi se si duam të shkojmë përpara përzgjedhjet apo Reformën Territoriale.

Partia Demokratike nuk ka qenë dakord për ndryshimet në Kodin Zgjedhor përsa i përket koalicioneve parazgjedhore. Nëse kërkon ndryshime në Komisionin e Posaçëm për këtë çështje, a do të merren në konsideratë?

Ministrja e Shtetit për Marrëdhënien me Parlamentin, Elisa Spiropali: Nuk më takon mua këtu si Ministre Shteti për Marrëdhënien me Parlamentin, por në këtë pikë nuk i takon askujt nga Partia Socialiste qofshin udhëheqësa apo deputetë në Kuvend që të komentojnë sepse ne e kemi ngritur këtë komision dhe u takon atyre, bashkëkryetarëve, anëtarëve të komisioneve të diskutojnë mundësitë dhe opsionet më të mira në komision. Konkluzionet e këtyre komisioneve do t’i shqyrtojmë më pas në seancë për të votuar ose jo ndryshimet e propozuara. Ne të enjten (10 shkurt) i votuam ngritjen e këtyre komisioneve dhe këtë të enjte (17 shkurt) votojmë përbërjen e tyre, duke përfshirë edhe bashkëkryetarët. Në komisionin e Reformës Zgjedhore, bashkëkryetar nga ana e shumicës do të jetë Damian Gjiknuri. Presim edhe propozimet e opozitës.

 Tashmë që ka dy opozita, dhe ju kemi parë të përfshirë edhe në debate në seanca parlamentare. Me kë e keni betejën në Kuvend?

Ministrja e Shtetit për Marrëdhënien me Parlamentin, Elisa Spiropali: Ne betejën si në qeveri, si në Kuvend e kemi me detyrën tonë për të qeverisur sa më mirë. Për të bërë punët tona dhe për të mbajtur premtimet tona. Ne, konkurrentët tanë nuk i shohim as si kundërshtar, madje as si armiq. Dhe urojmë shumë që të bëjnë të njëjtën që të heqin dorë nga gjuha e tyre linçuese, denigruese brenda apo jashtë grupit, me ne apo me veten. Ka ardhur koha që ne të ngrihemi në një nivel të ri të diskutimit politik. Njerëzit presin nga ne ide, presin alternativa. Presin një betejë parimore politike, jo për interesin e njërit apo të tjetrit. Jo beteja të pa fre të luftës politike të dy njerëzve.

 Na ndajnë vetëm pak javë nga zgjedhjet e 6 marsit. Ku e shikoni betejën më të fortë në 6 bashkitë?

Ministrja e Shtetit për Marrëdhënien me Parlamentin, Elisa Spiropali: Ministrja e Shtetit për Marrëdhënien me Parlamentin, Elisa Spiropali: Ne do punojmë kudo në të gjashta bashkitë në këtë fushatë me të njëjtën energji, sepse besojmë se kemi kandidatët më të mirë për të qeverisur qytetarët e këtyre bashkive si dhe për të çuar përpara punët publike dhe sfidat në këto bashki. Nuk e shohim si një referendum politik dhe nuk jemi aty në revansh për të marrë patjetër të gjitha bashkitë kundërshtarëve tanë. Nga ana tjetër shohim që kandidatët përballë janë të copëzuar në beteja për dy njerëz, Lulzim Bashën dhe Sali Berishën. Qytetarët e këtyre bashkive duan të shohin njerëz në krye të punës, që mendojnë për ta. Jo që të mendojnë për fatin politik të liderëve të tyre që për fat të keq që të ardhmen nuk ka.

 Si e shihni përfshirjen e Sali Berishës në zgjedhje dhe po ashtu bashkimin e forcave që bëri me Lëvizjen Socialiste për Integrim duke krijuar “Shtëpinë e Lirisë”.?

Moj kasolle ku na mblodhe. Koment tjetër unë nuk kam sepse nuk mundem të komentoj një betejë politike që bëhet për interesin e një apo dy njerëzve për të kuruar frikat e tyre.

 Përveç zgjedhjeve të 6 marsit, duhet të zgjidhet dhe Presidenti i ri pavarësisht vendimit që do të marrë Gjykata Kushtetuese. A e ka një propozim deri më tani Partia Socialiste se kush do jetë në krye të shtetit?

Ministrja e Shtetit për Marrëdhënien me Parlamentin, Elisa Spiropali: Ne nuk komentojmë sot për vendimin. Presim me shumë durim vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Çfarë kishim për të thënë dhe për të bërë e bëmë me votë, edhe si shumicë, edhe individualisht kam votuar për shkarkimin e Presidentit të Republikës. Presim që Gjykata Kushtetuese të shqyrtojë të gjithë argumentimin e Kuvendit të Shqipërisë për shkeljet e rënda të Kushtetutës dhe cenimit të figurës së Presidentit të Republikës. Mund të flasim për procesin por jo për emra. Ne do të bëjmë një proces gjithëpërfshirës, dhe urojmë e synojmë të kemi në krye të këtij institucioni një njeri të paanshëm.

 Është folur shumë për mundësinë e të pasurit një grua në krye të shtetit. A ka një emër potencial, dhe ju personalisht keni marrë një ftesë të tillë.?

Jo kjo bisedë nuk është bërë. Nuk e përjashtoj mundësinë që të jetë një Presidente grua, por përjashtoj mundësinë të jem unë.

 A do zgjidhet Presidenti i ri me Partinë Demokratike apo do zgjidhet përmes Këshillimit KOmbëtar dhe propozimeve tuaja?

Ministrja e Shtetit për Marrëdhënien me Parlamentin, Elisa Spiropali: Mund të përdoret instrumenti shumë efektiv i Këshillimit Kombëtar, pra të pyeten njerëzit për pëlqyeshmërinë që kanë për figura të ndryshme. Patjetër dhe Partia Demokratike dhe deputetë të tjerë, kanë një proces të gjerë konsultimi dhe të dalim me një emër dinjitoz, nuk ka rëndësi burrë apo grua. Por cilësia e karakterit, dinjitetit në kryerjen e detyrës dhe përfaqësimit të gjithë popullit janë kriteret që I kërkon Kushtetuta por edhe opinioni publik.