Nga Adriatik Doçi/
Presidenti Ilir Meta, i akuzuar nga aleati i tij Sali Berisha dhe faktorë të tjerë politikë si një nga pushtetarët më abuzues dhe të pasur në Shqipëri, në letra sot rezulton pronar vetëm i 1/4 të një apartamenti 2 plus 1, privatizuar në vitet ’90. Kur ka deklaruar për herë të parë pasurinë në vitin 2003, Meta ka deklaruar pikërisht 25 % të këtij apartamenti dhe 50 % të një vile në Golem, blerë sipas tij për 60 mijë USD. Gati dy dekada më vonë, Meta ka në emrin e tij vetëm 25 % të kësaj banese.
Po çfarë ka ndodhur me pasuritë e paluajtshme të Ilir Metës?
Presidenti në prag shkarkimi nga Gjykata Kushtetuese i ka kaluar të gjitha pasuritë e paluajtshme në emrin e bashkëshortes, Monika Kryemadhi, ndërsa kjo e fundit ka shitur shumicën e apartamenteve. Një lëvizje e tillë krijon dyshime se Ilir Meta ka marrë masa paraprake për një përballje të mundshme me SPAK, emër i cili shkakton nervozizëm tek Presidenti sa herë ia përmendin. Në një kohë kur Meta kërcënon gjyqtarë, prokurorë, ambasadorë, qeverinë, PS-në, PD-në, Lulzim Bashën etj., nga ana tjetër duket se ka nisur lëvizjet me kohë për t’u përballur me drejtësinë e re, të cilën e ka shpallur komplot të mafies ndërkombëtare.
Një tjetër detaj i dyshimtë është se presidenti Ilir Meta figuron me gjeneralitete të ndryshme në deklaratat e pasurisë. Në dokumente zyrtare Meta rezulton me emrin ‘Ilir Metaj’, ndërsa dekretet si president dhe aktet e tjera i firmos më emrin ‘Ilir Meta’, pra pa germën ‘j’ në fund, një rast ky i paprecedentë dhe tejet i dyshimtë. Në rast të një procesi penal apo kufizimi lëvizje, një shkronjë e shtuar apo e hequr në gjeneralitetet e personit, ka rëndësi vendimtare dhe mund të fusë institucionet në kurthe procedurale.
Po cilat janë pasuritë në emrin e Monika Kryemadhit?
Sot Monika Kryemadhi është pronare 100 % e vilës së famshme në Gjirin e Lalzit, vlera e të cilës vijon të mbetet një mister i madh, pasi nuk është deklaruar kurrë në deklaratat e pasurisë. Kryemadhi ka deklaruar vetëm sipërfaqen 317 m2 të vilës dhe mënyrën e përfitimit, që është shkëmbimi me 300 metra katrorë ambiente tregtare tek pallati në Laprakë.
Nga ana tjetër, Monika Kryemadhi, është bërë pronare me 1/3 së pallatit në Laprakë, ku sot ka zyrat televizioni i familjes Berisha, me vetëm 5 milionë lekë.
Konkretisht, në vitin 2007, Monika Kryemadhi ka blerë një sipërfaqe toke 700 m2, në Laprakë, me vlerë 5 milionë lekë. Ngjit me këtë truall, Monika Kryemadhi pretendon se i ka falur vëllai i saj edhe 500 m2 tokë, duke u bërë kështu pronare e 1 200 m2 tokë. Një vit më pas, Monika Kryemadhi ka lidhur një kontratë me kompaninë “Agikons”, për të ndërtuar pallatin në tokën e saj. Kryemadhi ka përfituar disa dyqane dhe 13 apartamente.
Nga viti 2014 deri në vitin 2021, Monika Kryemadhi ka shitur 10 apartamente në pallatin në Laprakë me vlerë 1 milionë USD. Aktualisht, Kryemadhi ka edhe 3 apartamente tek pallati në Laprakë, tre njësi tregtare dhe dy garazhe.
Gjithashtu, Monika Kryemadhi ka në pronësi edhe 5 apartamente të tjera
Një njollë e zezë në pasurinë e Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit mbetet edhe vila në Golem, blerë në vitin 2003. Për të blerë vilën në Golem, Meta dhe Kryemadhi kanë marrë një kredi në bankën Italo-Shqiptare në shumën 60 mijë USD. Tre vjet më vonë, pra në vitin 2006, Meta dhe Kryemadhi e shesin vilën në Golem për 300 mijë euro nga 60 mijë USD që e kishin vlerë.
Me këtë lëvizje, Meta dhe Kryemadhi shlyejnë kredinë 60 USD, marrin një kredi tjetër 200 mijë euro, shtojnë edhe 200 mijë euro të tjera të siguruan nga shitja e vilës, dhe në vitin 2010 blejnë apartamentin 400 mijë euro tek Rruga e Barrikadave në Tiranë. Këtë apartament që e kishin blerë 400 mijë euro në 2010, e shesin në vitin 2016, për 354 mijë euro, pra 46 mijë euro më pak nga sa e kishin blerë.
Pasuria e çiftit Meta-Kryemadhi është një histori e errët dhe sfidë për SPAK. Ndërkaq, ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, dikur një nga njerëzit më të besuar të Ilir Metës, ka deklaruar se Meta është pronar i një rrjeti dyqanesh, kompleksesh, guroresh, biznesesh etj., por që i ka kaluar në emra të tjerë. Meta gjithashtu është përfolur për largimin e shumave të mëdha parash jashtë vendit.
Pasuria sot e Monika Kryemadhit
Vilë në Gjirin e Lalzit (nuk deklarohet vlera)
Apartament banimi në Tiranë 212 m2, me verandë 97 m2 dhe garazh 139 m2.
Apartament banimi 66 m2 në Durrës (nuk deklarohet vlera) 1/3
Apartament banimi në Tiranë 99 m2 (nuk deklarohet vlera) 1/3
Apartament banimi në Tiranë 75 m2 (nuk deklarohet vlera) 1/3
Apartament banimi në Tiranë 69 m2 (nuk deklarohet vlera)
Apartament banimi në Tiranë 103 m2 (nuk deklarohet vlera)
Apartament banimi në Tiranë 94 m2 (nuk deklarohet vlera)
Apartament banimi në Tiranë 93 m2 (nuk deklarohet vlera)
Njësi tregtare 107 m2 (nuk deklarohet vlera)
Njësi tregtare 63 m2 (nuk deklarohet vlera)
Njësi tregtare 172 m2 (nuk deklarohet vlera)
Garazh 318 m2 (nuk deklarohet vlera)
Garazh 17 m2 (nuk deklarohet vlera)
Llogari bankare, 19 752 euro, 140 000 paund, 75 710 lekë, 3 mijë paund
Fëmijët llogari bankare; 11 516 euro, 1 937 euro, 2 395 648 lekë, 3 mijë paund, 351 916 lekë, 50 473 lekë, 3 mijë paund, 976 734 lekë, 2 345 euro, 141 692 lekë.
Pasuria sot e Ilir Metës
Apartament 2+1, 25 %
Llogari bankare; 1 060 057 lekë, 976 734 lekë.
Paga si President: 2 056 000 lekë, dieta 1 200 euro.