Nga Alba Malltezi/
Presidenti rus Vladimir Putin e ka rrëfyer shpesherë shenjën që i ka lënë rruga: Në shtëpitë e komunalkajas ku u rrit, mbeti i shënjuar nga një leksion jete: “Nëse sherri është i pashmangshëm, qëllo i pari!”. Dhuna më tepër se varfëria; rruga, më shumë se familja, janë “mësuesit” e liderit të gjigandit me emrin Rusi.
Dhe tashmë në rrugëtimin drejt perëndimit të një moshe dhe karriere mbresëlënëse, lideri Putin duket se arsyeton si adoleshenti Putin: Qëllo i pari!
Gjuha e dhunës për fat të keq vazhdon të jetë “mësues” jo i mirë edhe tek ne. Rruga e logjikës, arsyes, dihet, është më e lodhshme, kërkon më shumë pasion, mundim, kohë, përkushtim. Eshtë raskapitëse të bindim një fëmijë; disa mjaftohen ta ndalojnë me një të goditur, më një ulërimë, me një shuplakë, me një dënim, me një grusht, duke shënuar përjetësisht vulën e dhunës, të padurimit, të zhgënjimit në karakterin e tij.
Mesa duket, kjo praktikë vazhdon të jetë e pranishme brenda mureve, në familje, në një komunitet qoftë shkollë, punë apo shoqëri dhe pastaj papritur të gjithë habitemi se ka individë që adhurojnë dhe nxisin luftën.
E madhja shqiptare, shënjtorja Nënë Terezë, ka lënë një pasuri të jashtëzakonshme për Njerëzimin dhe fjala dashuri është ajo që nuk është lodhur asnjëherë së përsërituri. Eshtë e qartë se ku mungon dashuria, vyshket arsyeja dhe logjika: “Nëse do të ndryshosh botën, shko në shtëpi dhe duaj familjen tënde!”
Presidenti Putin është një njeri i vetmuar. Duket nga tavolinat gjigande të tij, nga distancat që mban me këdo që takon në publik. Akulli që e ka pushtuar është më i ftohtë se çdo dimër në Siberi, zemra e tij është ngurtësuar siç ngrin e ngurtësohet dalë ngadalë çdo zemër lideri autoritar e jetëgjatë në pushtet.
Vetëm dora e Nënë Terezës mund t’i ofronte një ushqim të mirë e të ngrohtë, zemra e saj do të mund ta bënte që ai të ndjehej mirë në shtëpi. Fjalët e saj do të zinin vend menjëherë edhe pse mund të dukej tepër tepër vonë, por kush do t’ja përcjellë fjatët e shenjtores Presidentit Putin? Rreth tij është tepër ftohtë, nuk ka më asnjë njeri dhe të vetmuarit si puna e tij janë në çdo cep të Globit. Janë njerëz që kanë ngrirë pa dashuri.