Tri idetë më inovatore në fushën e teknologjisë në kuadër të “Europe Code Week” dhe “euRobotics – European Robotics”, u shpallën fituese nga shumë projekte që konkurruan në “Startup Hackathon” organizuar nga Albanian ICT Academy me mbështetjen e Ambasadës amerikane dhe STEM Albania.

Lajmin e bëri të ditur ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, e cila njoftoi se të rinj nga shumë qytete të vendit u mblodhën për të konkurruar në grupe për idenë më inovatore në fushën e teknologjisë në kuadër të Europe Code Week dhe euRobotics – European Robotics.
Sipas saj, nga një shumëllojshmëri projektesh të veçanta, ato fituese lidheshin me përmirësimin e jetës së përditshme, sportin dhe shëndetin mendor, tre fusha prioritare për të rinjtë.
Tre projektet fituese janë:
1ZZ0# me aplikacionin WIO, i cili u vjen në ndihmë të rinjve duke shërbyer si urë lidhëse mes bizneseve dhe studentëve në çdo profil që ka lidhje me ta. WIO shërben për të ndihmuar të rinjtë në jetën e përditshme dhe me nevojat bazë, duke përmbledhur në një aplikacion mundësitë për sport, biblioteka, librari, palestra, lokale për studim dhe apartamente banimi të shoqëruar me vendndodhje.
THUNDER, i cili është një aplikacion për të gjithë të apasionuarit pas hiking. Ky aplikacion synon të përmbledhë gjithçka të nevojshme për këtë sport në Shqipëri.
Ndihmë Shqip, aplikacioni ku do të gjejnë mbështetje në kohë reale nga psikologë dhe vullnetarë, të rinjtë dhe njerëzit e bullizuar. Gjithashtu do të synohet dhe parandalimi i bullizmit duke u dhënë këshillat dhe ndihmën e nevojshme dhe njerëzve që bullizojnë.
Startup Hackathon këtë vit u mundësua nga Albanian ICT Academy në bashkëpunim me Ambasadë amerikane dhe STEM Albania.