Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se i ka dërguar një letër ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, duke ofruar më shumë bisedime për të shmangur një konflikt të mundshëm në Ukrainë, por paralajmëroi Moskën se po shtron kërkesa të sigurisë që është e pamundur të realizohen.
Stoltenberg e dërgoi letrën të enjten, duke i kërkuar ministrit Lavrov të pajtohej për më shumë bisedime në formatin e Këshillit NATO-Rusi, i cili u takua në janar për të diskutuar zyrtarisht thirrjet e Moskës për aleatët që të tërheqin trupat nga Europa Lindore.
Ai tha gjithashtu në Konferencën e Sigurisë së Munihut, se nuk kishte shenja të një tërheqjeje ruse nga kufijtë e Ukrainës, pavarësisht pohimit të Rusisë këtë javë se kishte filluar tërheqjen, dhe se rreziku i një konflikti ishte real, ndërsa vazhdon grumbullimi ushtarak i Moskës.
“Ne jemi jashtëzakonisht të shqetësuar sepse shohim se ata vazhdojnë të grumbullohen, vazhdojnë të përgatiten. Dhe ne kurrë nuk kemi parë në Evropë që nga fundi i Luftës së Ftohtë, një përqendrim kaq të madh të trupave të gatshme për luftë”, u shpreh ai.
Sekretari Stoltenberg tha gjithashtu në konferencë sipas VOA-s, se Moska po parashtronte kërkesa sigurie, që Kremlini e dinte se NATO-ja nuk mund t’i përmbushte kurrë.