Ish-diplomati dhe politikani sllovak, Eduard Kukan vdiq në moshën 82-vjeçare, njoftoi sot zëdhënësja e universitetit ”Comenius” në Bratislavë, Lenka Miller. Në vitin 1999, Kukan ishte emëruar i dërguar i Posaçëm i OKB-së në Kosovë. Nga viti 2009 deri në vitin 2019 ishte anëtar i Parlamentit Evropian. Kukan u lind më 26 dhjetor 1939 në Trnovec nad Vahom në Sllovakinë Jugperëndimore.

Fillimisht studioi në Fakultetin Juridik të universitetit ”Comenius” në Bratislavë, u diplomua në Institutin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Moskë në vitin 1964 dhe më vonë mori një doktoraturë në drejtësi në universitetin ”Charles” në Pragë.

Ai ishte deputet i Parlamentit të Sllovakisë, dhe midis 2009 dhe 2014 ai shërbeu si deputet i Parlamentit Evropian. Në vitin 2004, ai kandidoi pa sukses për president të Sllovakisë. Ai mbështeti pranimin e Sllovakisë në BE dhe NATO dhe mbrojti thellimin e bashkëpunimit midis Republikës Çeke dhe Sllovakisë pas ndarjes së tyre.

Ekspertiza e tij profesionale ishte Afrika Sub-Sahariane dhe Amerika Latine, por ai gjithashtu shërbeu si ambasador i Çekosllovakisë në OKB në Nju Jork. Eduard Kukan fliste rrjedhshëm anglisht, rusisht, spanjisht dhe suahili. Ai ishte ”Doctor Honoris Causa” i drejtësisë në kolegjin amerikan ”Upsala” në Nju Xhersi dhe mbajtës i Urdhrit të Shën Gregorit të Madh që i dha papa Gjon Pali II.