Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, përshëndeti në konferencën “Dialog midis gjeneratash, arsimi dhe puna: Mjetet për të ndërtuar një paqe që zgjat”, organizuar sot paradite nga Nunciatura Apostolike dhe Fondacioni “Zoja e Këshillit të Mirë”, në mjediset e Universitetit “Zoja e Këshillit të Mirë”, në Tiranë.
Në konferencë merrnin pjesë Shkëlqesia e tij, Nunci Apostolik në Shqipëri, Imzot Monsignor Luigi Bonazzi, personalitete të larta fetare, diplomatë, deputetë dhe pedagogë e studentë të Universitetit.
Në fjalën e saj përshëndetëse në konferencë, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla vuri në dukje se “Papa Françesku na mëson se “Paqja është afatgjatë, kur është jo vetëm një dhuratë nga lart, një arkitekturë ku kontribuojnë institucionet, por edhe një kantier ku secili prej nesh investohet personalisht”.
“Prandaj çdo individ mund t’i kontribuojë paqes duke nisur nga familja, komuniteti, vendi i punës dhe marrëdhëniet me mjedisin. Sinergjia midis dialogut, arsimit dhe punës është një parakusht për të nxitur zhvillimin dhe konsoliduar vlerat shoqërore. Kjo sinergji është një imperativ për ndërtimin e paqes. Mirëkuptimi midis brezave të shndërrohet në “forcën lëvizëse” të politikave tona”, tha Nikolla.
“Të punojmë që vlerat e paqes dhe demokracisë të promovohen në sistemin tonë arsimor. T’u japim mundësi fëmijëve tanë të mësojnë nga gabimet e të kaluarës.Edukimi për paqe pamundëson çdo shkak që të çon drejt dhunës. Shkollat tona duhet të përmirësojnë edukimin për paqe në të gjitha nivelet, nga kopshti në universitet, duke e vënë theksin të dinjiteti i të gjithë njerëzve. Të bëjmë kujdes për të shmangur jo vetëm dhunën e hapur, por edhe atë indirekte, si një “dhunë strukturore” ndaj grupeve të margjinalizuara, emigrantëve, të varfërve, të dobtëve, njerëzve me ngjyrë, një dhunë që ushtrohet ditë pas dite, shoqëruar me shfaqje të hapura apo të fshehta të racizmit. Edukimi për paqe është një mënyrë e suksesshme për të tejkaluar pabarazinë sociale si edhe për të sfiduar çdo rrëfim apo trashëgimi historike që përpiqet të justifikojë format e shtypjes dhe dhunës”, u shpreh Nikolla.