Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, priti delegacionin e PDK, të kryesuar nga Kryetari, Memli Krasniqi. Nikolla u uroi drejtueseve të PDK-së suksese në përballimin e sfidave të partisë, Kuvendit dhe Kosovës.

“Ne kemi një bashkëpunim të shkëlqyer vëllazëror, po punojmë ngushtësisht mes Kuvendeve, qeverive dhe institucioneve për të çuar atë përpara dhe për të lehtësuar përballimin e sfidave me të cilat përballet Republika e Kosovës. Sfidat tuaja janë edhe tonat. Partneriteti Strategjik e gjithpërfshirës midis Shqipërisë dhe Kosovës është strategjik, stabilizues e orientues edhe për perspektivën evroatlantike të rajonit”, tha Nikolla.

Kryetarja Nikolla vlerësoi rëndësinë e konsensusit të brendshëm midis forcave politike dhe liderëve të tyre për sa i takon qëndrimit ndaj dialogut Kosovë-Serbi dhe bëri thirrje për maturi, qetësi e unitet, për të patur një qëndrim të unifikuar rreth dialogut, të koordinuar me partnerët strategjikë të Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.

Edhe kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla priti në takim delegacionin e PDK të kryesuar nga Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.Në fjalën e tij Balla tha se takimi u zhvillua në kuadër të intensifikimi edhe më të thellë të bashkëpunimit mes dy Kuvendeve dhe dy grupeve parlamentare.

Sipas Ballës, Partia Demokratike e Kosovës është një parti që ka një kontribut të pazëvendësueshëm në jetën politike të Kosovës, prej momentit kur Kosova filloi rrugëtimin e saj si një shtet sovran dhe i pavarur.

“Pritëm në Kryesinë e Kuvendit një mik të veçantë, Kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi bashkë me një delegacion të Kuvendit të Kosovës në kuadër të intensifikimit edhe më të thellë të bashkëpunimit mes dy Kuvendeve dhe dy Grupeve Parlamentare. Partia Demokratike e Kosovës është një parti që ka një kontribut të pazëvendësueshëm në jetën politike të Kosovës, prej momentit kur Kosova filloi rrugëtimin e saj si një shtet sovran dhe i pavarur. PDK ka një rol të rëndësishëm në reformat që kanë çuar përpara Kosovën drejt anëtarësimit në BE dhe të gjitha reformat për fomrësimin e shtetit ligjor të Kosovës.Kemi diskutuar gjithashtu me kryetarin Krasniqi për intensifikimin e bashkëpunimint në të gjitha nivelet mes grupeve parlamentare, por më së shumti dhe mes dy parlamenteve në funksion të koordimit me delegacionet e përbashkëta, por edhe në funksion të shkëmbimit të ekspertizës.Kuvendi i Shqipërisë ka tashmë një eksperiencë të cilën duhet ta vendosë edhe në dispozicion të Kosovës për shumë ligje. Ajo që vlen të theksohet në këtë takim është komunikimi i vazhdueshëm mes dy grupeve parlamentare. Dua ti uroj dhe njëherë mirëseardhjen z. Krasniqi në Kuvendin e Shqipërisë në këtë vizitë zyrtare, ku do të ketë mundësinë të takohet me të gjitha autoritetet e larta shtetërore dhe politike të vendit në dobi të intensifikimit dhe forcimit të marrëdhënieve mes dy vendeve tona”, tha Balla.