Nga Hermes Kafexhiu
Ishte një zgjedhje e moshës të shkoje në stërvitje futbolli. Shprehja e të shumtëve ishte që “shkojmë në stërvitje”. Fusha e stadiumit të vjetër flinte prej kohësh në një qetësi mbi gjurmët e disa legjendave dhe nga ana tjetër dukej sikur fliste për mungesën e një krenarie të dikurshme. Ai hyri në dhomën e zhveshjes dhe sytë e moshatarëve që prej vitesh ishin pjesë e ekipit e panë me një dyshim të zakonshëm njerëzor dhe nga ana tjetër me një mikpritje. E njihnin shumica prej tyre. Nuk dinte të luante futboll, por nga larg e ndiqte dëshira për të mbledhur energjitë të provonte zbulime të reja. Dhoma e zhveshjes mbante erën e lagështirës. Djemtë fanellat i blinin me të ardhurat e tyre. Futbolli ishte një ëndërr e tjerrur që për pjesën e madhe të tyre pas shumë vitesh mbeti në sirtar. Gjithë ato fytyra që dashuronin dheun e fushës patën të gjithë një ndalesë përfundimtare, e cila niste përherë si një ortekë që zbriste tatëpjetën për të shpërthyer i shpërbërë. Në një ekip të rinjsh futbolli shihje dhe kuptoje gjithçka aty bëhej bashkë drama njerëzore dhe rënkimi i beftë i dëshirave për dritë. Futbolli i provincës ishte milje larg ëndrrës televizive. Përvoja si një oficer i egër i jetës shpallte divorce tragjike që kushtonin kohë të humbur.
Ja një fytyrë e qeshur me plot pasion e talent për futbollin ca vite më vonë do të shkonte të punonte rrugës së shkurtër të emigrimit, ku një grup policësh në Gjenevë do e ndalonte për t’i marrë jetën në burg. Ai do të rrëfente pranë miqve të burgut se dikur kishte qenë një ish fubollist i talentuar nga ku deti e patë mbytur për të luftuar me varfërinë. Një tjetër fytyrë e zgjuar që dallonte për inteligjencën në fushë do të vritej në një vend të huaj se iu desh të ndërrmerte një rrugë për të mbledhur ca lek që ti kthehej fushës. Një tjetër u bë shofer, një tjetër nisi të shërbente në kuzhinë kurse një sulmues që ai nuk do ta harronte as i çmendur do të mbyllej i mbytur me ilaçe depresioni nga ngarkesa se nuk realizoi dot ëndrrën. Talentet e reja në provincë i ngjanin një gjëmie që u zbraz si ai shi që ra ditën e parë kur ai hyri në stërvitje. Të gjithë yjet e premtuar të fushës së stadiumit të vjetër ishin shuar një nga një me kohën, sepse mbijetesa kushtonte më shumë se çdo përpjekje e zbrazur për t’i thënë vetes një ditë se u realizova.
Ndërkohë që fundi ishte më i trishtë se humbja e nje finaleje në minutën e fundit. Një finale mund të përsëritej ndërsa barrierën e padrejtësisë s’mund të kishe fuqi ta mundje dot.
Dolën në fushë, gati për stërvitjen e rradhës dhe ai pati një ankth të përkohshëm nga i cili flijohej një mendim kundrejt të cilit bënte një betejë të gjatë përbuzja me ëndrrën.