Presidenti Joe Biden dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz u përpoqën të vendosnin një front të bashkuar dje në Shtëpinë e Bardhë, por një pikë kyçe penguese duket se mbeti, pavarësisht premtimeve të tyre për unitet, e ardhmja e gazsjellësit “Nord Stream 2”, sipas CNN.

Në Shtëpinë e Bardhë kancelari gjerman Olaf Scholz zbuloi një hendek mes tij dhe homologut amerikan për gazsjellësin gjigant.

Gjatë një konference për shtyp, pas një takimi në Zyrën Ovale, Biden ishte i qartë se projekti nuk do të shkonte përpara nëse Rusia pushtonte Ukrainën.

Është qëndrimi që ai dhe zyrtarët amerikanë kanë mbajtur për javë të tëra dhe ka qenë një pikë kyçe e diskutimit me qeverinë e re Scholz, sipas zyrtarëve të lartë të administratës.

Por, vetë Scholz nuk pranoi as ta përmendte projektin gjatë konferencës për shtyp dhe nuk pranoi të angazhohej për t’i dhënë fund gazsjellësit nëse një pushtim do të ndodhte, një qëndrim që i shkaktoi probleme ministrit të tij të jashtëm gjatë një vizite në Ukrainë.

Në intervistën me CNN, Scholz përsëriti zotimin e tij për të qëndruar në linjë me SHBA-në, megjithëse përsëri nuk do të qartësonte synimet e tij për projektin “Nord Stream 2”.

“Të gjithë hapat që do të ndërmarrim do t’i bëjmë së bashku”, tha Scholz.

“Siç tha edhe presidenti (Biden), ne po përgatitemi për këtë. Ju mund ta kuptoni dhe mund të jeni absolutisht i sigurt se Gjermania do të jetë së bashku me të gjithë aleatët e saj dhe veçanërisht me SHBA, se ne do të ndërmarrim të njëjtat hapa. Nuk do të ketë dallime në këtë situatë”, theksoi ai.

“U them miqve tanë amerikanë, ne do të jemi të bashkuar. Ne do të veprojmë së bashku dhe do të ndërmarrim të gjithë hapat e nevojshëm dhe të gjithë hapat e nevojshëm do të bëhen nga të gjithë ne së bashku”, tha ai për një audiencë më të gjerë zyrtarësh amerikanë, demokratë dhe republikanë, të cilët kanë shprehur shqetësimin për gatishmërinë e Gjermanisë për t’u përballur me Putinin.

Gjermania është shumë e varur nga energjia ruse, duke e bërë të vështirë vendosjen e dënimeve të rënda pa rrezikuar mbylljen e naftës dhe gazit gjatë muajve të ftohtë të dimrit.

SHBA ka kërkuar për furnizime alternative të energjisë që mund të devijohen në Evropë, nga Azia në Lindjen e Mesme te furnizuesit vendas amerikanë.